Lajme

Xhaferi: Rugova e Jashari trasuan rrugën historike të Pavarësisë së Kosovës


Talat Xhaferi, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Rugova dhe Jashari ishin emrat e përvetshëm që Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, përmendi në urimin e tij për 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Xhaferi shprehu urimet e tij të përzemërta për Kosovën në 15-vjetorin e pavarësisë, duke e cilësuar vendimin historik, të përgjegjshëm, të shumëpritur dhe tej mase të guximshëm të qytetarëve kosovarë dhe Republikës së Kosovës.

“Vizioni i burrështetasve Rugova, Jashari, largpamësia, mençuria dhe vullneti i palëkundshëm për ndërtimin e një shteti të lirë dhe të pavarur ishte rruga që e trasuan dhe plot 15 vite e ndjekin me devotshmëri gjeneratat e reja, duke e kompletuar imazhin e Republikës së Kosovës bashkëkohore, demokratike, progresive dhe paqedashëse”, ka shkruar ai.

“I gëzofsh edhe shumë përvjetorë Kosovë”, vazhdon më tej Xhaferi, duke uruar paqe, mirëqenie dhe reflektim pozitiv e të respektueshëm në rajon dhe më gjerë.

Republika e Kosovës, sot feston 15 vjetorin e pavarësisë, ani pse lufta e mvetësisë kishte përfunduar më 1999.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës, të cilët për vite me radhë vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombetare në Kosovë.

Nga 13 qershorit i vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin Kosova u administrua nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK dhe Institucionet Vetëqeverisëse të Kosoves: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria.

Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur.

Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore