Shqipëria

Xhaçka uron Osmanin për kryesimin e OSBE-së: Moment unik për rajonin


Ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka uruar homologun e saj maqedonas Bujar Osmani për kryesimin e OSBE-së gjatë vitit 2023.

Lajmi u bë i ditur në median sociale “Twitter”, duke cituar statusin e zyrtares shqiptare.

“I uroj suksese mikut dhe kolegut tim të mirë Bujar Osmani për marrjen e Kryesisë së OSBE-së nga Maqedonia e Veriut për vitin 2023”, shkruan kryediplomatja.

Sipas saj, me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Maqedoninë e Veriut që mori kryesimin e OSBE-së, ky është një moment unik për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Presim të punojmë ngushtë së bashku për të çuar përpara çështjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Evropë”, përmbylli Xhaçka.

Shkupi zyrtar do të përqendrojë vëmendje të veçantë në luftën e plotë të Rusisë kundër Ukrainës.

“Kjo luftë minon themelet e OSBE-së. Ajo bie ndesh me parimet për të cilat kemi rënë dakord dhe për të cilat ne i vlerësojmë. Është larg piketarit dhe parimeve tona udhëzuese që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve pjesëmarrëse”, komentoi kryediplomati maqedonas.

Në dimensionin ushtarako-politik të sigurisë, parandalimi i konflikteve dhe zgjidhja e tyre do të mbetet prioritet i lartë i OSBE-së.

Në dimensionin ekonomiko-mjedisor të sigurisë, presidenca e Maqedonisë së Veriut do të fokusohet në ngritjen e mëtejshme të vetëdijes për lidhjen ndërmjet ndryshimeve klimatike dhe sigurisë, si dhe energjisë dhe ushqimit.

Në fund të fundit, një tjetër prioritet për kryesimin e Maqedonisë së Veriut në OSBE do të jenë çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut.

Në vitin 2022, Polonia kryesoi OSBE-në.

Në nëntor, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky-i kritikoi organizatën për mospjesëmarrje të mjaftueshme në përpjekjet për të detyruar Rusinë t’i japë fund luftës së saj kundër Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore