Shqipëria

Xhaçka përshëndet vendimin e KE-së për të hequr kufizimet me Shqipërinë


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, të premten e 18 qershorit, ka përshëndetur vendimin e Këshillit Evropian për të shpallur Shqipërinë si ‘vend të sigurt’, për të lëvizur drejt vendeve të BE-së.

“Tashmë, qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së sipas të njëjtit regjim me qytetarët evropianë”, shkruan Xhaçka në median sociale Facebook.

Më tej Ministrja këtë vendim e sheh si “një zhvillim të rëndësishëm, i cili njeh arritjet e Shqipërisë në luftën kundër COVID”.

Nga ana tjetër Xhaçka paralajmëroi se vendet anëtare kanë protokolle specifike përtej këtij vendimi “ndaj duhet të lexoni informacionet e përditësuara rast pas rasti”.

Më herët KE-ja ka vendosur që të heqë kufizimet për tete shtete, duke përfshirë dhe tre vende të Ballkanit Perëndimor. Përkatësisht Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Përveç tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, në listë janë edhe Shtetet e Bashkuara, Hong Kongu, Makao, Arabia Saudite dhe Tajvani.

Siç përcaktohet në rekomandimin e Këshillit, kjo listë do të vazhdojë të rishikohet çdo dy javë dhe, sipas rastit, të përditësohet.

Gjatë kësaj dite Qeveria gjermane vendosi të japë fjalën e fundit për lëvizjen lirshëm të shtetasve të këtyre vendeve.

Duke nisur prej datës 20 qershor turistët nga këto vende, do të lejohen të hyjnë në Gjermani pa qenë nevoja të japin arsyen e udhëtimit.

Nën presidencën e Portugalisë, BE-ja shqyrtoi vendet, të dhënat e të cilave tregojnë se raporti i infektimit është 75 raste pozitivë për 100 mijë banorë, në 14 ditët e fundit.

Ndërkaq Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, kanë parë ulje të ndjeshme muajin e fundit të numrit të rasteve pozitive me COVID.

Ndërkohë Shqipëria ka imunizuar me të dyja dozat mbi 330 mijë qytetarë, Serbia rreth 2.3 milionë të popullsisë dhe Maqedonia e Veriut mbi 187 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore