Shqipëria

Xhaçka: Mbështetja e Kosovës, prioritet kombëtar – normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, prioritet rajonal


“Mbështetja e Kosovës është sot, siç ka qenë jetë e mot, një prioritet kombëtar. Por sot më shumë se kurrë, në kontekstin e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është një prioritet për sigurinë dhe stabilitetin e mbarë rajonit edhe më gjerë, në Evropë”.

Kështu e mori fjalën ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, në seancën plenare të 23 marsit.

Sipas saj, rajoni, “e sidomos situata si ajo që ekzistonte mes Kosovës e Serbisë apo ajo në Bosnjë Hercegovinë”, janë në shënjestër të përpjekjeve ruse për të shkaktuar tensione e konflikt në Ballkanin Perëndimor.

Përpjekjet, shtoi Xhaçka, “duket tashmë qartë që kanë ndodhur edhe në Shqipëri përmes injektimit të fondeve ruse në politikë”.

Ajo deklaroi sakaq se marrëveshja e arritur në Ohër më 18 mars mes Kosovës e Serbisë është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin.

Fillimisht, kryediplomatja përgëzoi Kosovën, qeverinë e saj, për seriozitetin e treguar, por edhe për guximin e treguar, pasi “arritja e një marrëveshje të tillë nuk është e lehtë”.

“Marrëveshja e arritur në Ohër është një lajm i mirë. Puna konkrete për zbatimin pritet të nisë pas afërsisht një muaji ndërkohë që shpresa është që gjithçka të jetë dakordësuar deri në fund të vitit”, shtoi ministrja.

Sipas saj, finalizimi do të kërkojë shumë punë pasi “djalli fshihet gjithnjë në detaje”.

“Mjafton të marrësh në konsideratë faktin që kjo marrëveshje u miratua përmes një procesi krejt sui generis, pa u firmosur, për të kuptuar se finalizimi nuk do të jetë aspak i lehtë”, vijoi Xhaçka.

Ajo theksoi se mbetet shumë optimiste që me angazhimin konstruktiv e serioz të Qeverisë së Kosovës, atë të Serbisë, mbështetjen dhe monitorimin e BE-së dhe SHBA-ve gjatë procesit “delikat” të implementimit, “ekzistojnë të gjithë kushtet që kjo marrëveshje të çojë me sukses drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Ajo që dua të them, është që puna që duhet bërë deri në finalizimin e zbatimit të marrëveshjes, do të jetë komplekse, me sfida dhe do të kërkojë shumë përkushtim, seriozitet por edhe mbështetje nga partnerë e aleatë për të qenë e suksesshme”, tha zyrtarja shqiptare.

Referuar Shqipërisë, ministrja kujtoi se vendi ynë ka qenë vazhdimisht në mbështetje të dialogut.

“Shqipëria ka qenë po ashtu që në krye të herës në mbështetje të të ashtuquajturit plan franko-gjerman i cili shërben si një pikënisje e mirë për dialogun. E padyshim, ashtu siç kemi bërë në çdo moment, edhe në luftë, edhe në paqe, ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën me të gjithë mundësitë që kemi”, garantoi ajo.

Përpjekjet e autoriteteve shqiptare, solli në vëmendje kryediplomatja, do të vazhdojnë të fokusohen tek procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe tek procesi i njohjeve.

“Me arritjen e kësaj marrëveshje unë pres që këto procese të bëhen deri diku më të lehta dhe rezistenca të zbehet, pavarësisht se jemi të vetëdijshëm për pengesat që mund të krijojnë gjatë këtij procesi vende si Rusia apo ndonjë vend tjetër, që nuk e mbështesin dialogun dhe arritjen e një normalizimi të plotë mes Kosovës e Serbisë”, u shpreh në përmbyllje Olta Xhaçka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore