Shqipëria

Xhaçka inspekton zonën ku do të priten refugjatët afganë


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, të mërkurën e 18 gushtit ka shkuar në aeroportin “Nënë Tereza”, për të parë nga afër çadrat e posaçme ushtarake që janë vendosur në Rinas, për pritjen e mirëseardhjes të afganëve.

Xhaçka ka inspektuar zonën jo vetëm si Ministre por dhe si koordinatore për operacionin humanitar në ndihmë të shtetasve afganë, ku do tu jepet ndihma e parë shëndetësore, asistencë psikologjike/sociale dhe shërbimi bazik për ushqim apo nevoja të tjera të mundshme.

Gjatë inspektimit Ministrja Xhaçka u takua me drejtues të disa strukturave të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit e të Policisë Kufitare.

Qendra, e pajisur me çadra mjekësore e të ndihmës së parë ka një kapacitet prej 400 personash dhe do të shërbejë si ndalesa e parë e pasagjerëve në mbërritjen në Shqipëri.

Nga burime zyrtare për Albanian Post mësohet se ata do të qëndrojnë për dy ditë në çadra.

Më pas, sipas Xhaçkës, pas modaliteteve respektive ligjore ata do të shoqërohen për në strukturat akomoduese në Tiranë apo Durrës. Kjo do të varet te numri i personave që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri.

Ndërkaq Xhaçka ka informuar se situata po ndiqet minutë pas minute në bashkëpunim me aleatët. Duke shtuar se janë marrë të gjitha masat, kurdo që të mbërrijë avioni i parë.

Ministrja është ndalur edhe në strukturat akomoduese në Tiranë, të cilat janë hapësira të lira e të pajisura me të gjitha kushtet e jetesës për individë apo fëmijë.

Qytetarët afganë do të qëndrojnë për pak javë në këto qendra, për tu zhvendosur më pas në disa struktura hotelerie në bregdet në pritje të kryerjes së procedurave për transferimin e tyre drejt destinacion final.

Deri më tani nuk ka të dhëna se kur pritet të mbërrijnë në aeroportin kombëtar refugjatët afganë.

Akomodimi i refugjatëve afganë

Nga burime zyrtare të Bashkisë së Tiranës, u bë me dije për Albanian Post se do të jenë rreth 350, afganët, të cilët do të mbërrijnë fillimisht në Rinas.

Mbi akomodimin e tyre në Tiranë, u bë me dije nga Bashkia se, “aktualisht janë bërë gati katër godina në Qytetin Studenti”.

Gjithë godinat në Qytetin Studenti – shtatë të tilla – kanë një kapacitet prej 1 mijë e 200 personash. Por, në katër ndërtesat e vëna në dispozicion nga Bashkia, 600 është numri i atyre, të cilët mund të strehohen.

Për sa i përket testimit dhe evidentimit të rasteve me COVID-19 ndër refugjatët, burimi shtoi se në çastin e mbërritjes pranë dhomave ku do të vendosen, aty ndodhet një personel i specializuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Këto grupe, do të vendosen në një hapësirë të dedikuar për kryerjen e testeve.

Nëse një nga refugjatët rezulton pozitiv, do të bëhet izolimi i tyre në dhoma të veçanta. Bashkia ka siguruar se janë marrë të gjitha masat për skenarë të tillë.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama

“Është kaq shqetësuese të lexosh se Shqipëria po i strehon afganët, vetëm sepse SHBA-të ia kërkuan këtë gjë”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka këtë përgjigje për skeptikët e vendimin për pranimin e strehimit të afganëve në Shqipëri.

Nëpërmjet një statusi në Twitter, Rama thekson se ky, është një detyrim i Shqipërisë si vend anëtar në NATO. Por, ky është edhe një detyrim ndaj miqve afganë sipas tij.

“Mund të mos jemi të pasur, por i detyrohemi miqve tanë afganë në nevojë. I detyrohemi traditës tonë. Historisë sonë të vonshme me refugjatët dhe kujtesës që fëmijët tanë do të trashëgojnë”.

Ndër të tjera, kryeministri shton se është çenduri t’i kthesh shpinën afganëve dhe të fajësosh SHBA-të.

“Atje ishim të gjithë si NATO dhe këta njerëz na u gjendën pranë. Ata besonin në idealet e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian”.

Në përmbyllje, Rama shtjellon se “të sprapsesh nga këto vlera bazike, është si të sprapsesh nga më e mira e vetvetes, e historisë dhe idealeve që një botë demokratike duhet të promovojë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra”.

Shqiptarët në lartësinë e përgjegjësisë

Më 16 gusht, ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, ka zhvilluar një takim me Xhaçkën, mbi koordinimin e punës për sjelljen e afganëve në Shqipëri dhe situatën e përgjithshme në Kabul.

Sipas saj, Shqipëria po tregon për trashëgiminë e saj në mikpritje. Kim, nuk ka ngurruar as të përmendë institucionin e Besës në Shqipëri, të cilin e gjithë bota duhet ta njohë.

Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, foli nga Rinasi për ardhjen e shtetasve afganë në Shqipëri.

Mesazhi kryesor i tij, ishte “ngritja e Shqipërisë në nivelin e përgjegjësive, për të strehuar refugjatët”.

Më tej, ai sqaroi se Ministria e Mbrojtjes do të bëjë rolin e saj, në pritjen dhe transportimin e afganëve në vendstrehime. I ritheksuar edhe nga ai, ishte fakti se ata do të qëndrojnë përkohësisht në Shqipëri.

Mundësia e madhe e tre vendeve të vogla ballkanike

Tashmë është zyrtare se Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut, do të mirëpresin refugjatë afganë, minimalisht deri në çastin kur gati për ta, të jenë vizat amerikane, ku edhe është thënë se do të vendosen në mënyrë të përhershme.

Situata në Afganistan është tërësisht e paqëndrueshme në ditët e para të regjimit taleban. Pas mësymjes së rebelëve në Presidencë, pamjet kaotike të Kabulit kanë shëtitur botën.

Mijëra afganë në dëshpërim, kanë kthyer sytë nga perëndimi, teksa disa të tjerë, në dëshpërim e sipër, i kanë mbyllur përgjithmonë.

Përtej situatës së afganëve, pyetja e shtruar në opinion publik, është ajo nëse një pjesë e tyre, duhet apo jo të vijnë në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoninë e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore