Shqipëria

Xhaçka: Hap i rëndësishëm lufta kundër ndalimeve arbitrare në marrëdhëniet midis shteteve


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, gjatë një konference me përfaqësues të lartë të diplomacisë Evropiane dhe kanadeze, ditën e hënë, më 15 shkurt, deklaroi se është një hap i rëndësishëm lufta kundër ndalimeve arbitrare në marrëdhëniet midis shteteve.

Ajo mori pjesë me ftesë të ministrit të Jashtëm të Kanadasë në Deklaratën Kundër Ndalimit Arbitrar në Marrëdhëniet Shtet me Shtet. (Arrestimi ose ndalimi arbitrar i shtetasve të huaj për të detyruar ose ushtruar ndikim në një qeveri të huaj shkel ligjin ndërkombëtar, komprometon marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ka një ndikim negativ mbi shtetasit e huaj që udhëtojnë, punojnë dhe jetojnë jashtë. Shtetasit e huaj janë në rrezik arrestimi dhe ndalimi arbitrar ose dënimi nga qeveritë që kërkojnë të detyrojnë shtetet e tjera të veprojnë. Qëllimi i kësaj deklarate është të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe t’i japë fund praktikës së arrestimit arbitrar, ndalimit ose dënimit që synon ushtrimin e ndikimit mbi qeveritë e huaja).

Xhaçka, theksoi faktin se ndalimet arbitrare të shtetasve të huaj, nuk duhet të përdoren si një mjet për politikën e jashtme, ku veprimet e tilla kanë një çmim.

“Dhe ky çmim nuk është i parëndësishëm, por një njollë mbi reputacionin dhe imazhin e atyre që përfshihen në veprime të tilla”.

Në fjalën e saj, Xhaçka ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë për këtë deklaratë, teksa e cilësoi si të papranueshme rritjen e numrit të ndalimeve arbitrare të shtetasve të huaj të pafajshëm, nga qeveritë, të cilat sipas saj duan t’i përdorin ato si mjete negocimi në marrëdhëniet e tyre me qeveritë dhe vendet e origjinës të të ndaluarve.

Në konferencë përshëndetën përfaqësues të lartë të diplomacisë Evropiane, Botërore si dhe personalitete kanadeze me ndikim në jetën politike, sociale e kulturore në botë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore