Shqipëria

Xhaçka-Turkovic: Do ta forcojmë dialogun politik midis dy vendeve


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, është takuar me homologen e Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turkovic, për të biseduar rreth marrëdhënies së dy shteteve.

“Bisedë mjaft konstruktive mbi agjendën tonë bilaterale, ku ramë dakord që do të vijojmë dialogun politik dhe do ta intensifikojmë atë, duke rritur kontaktin në nivele të larta”.

Xhaçka u shpreh se e ka mirëpritur vendimin e Bosnje dhe Hercegovinës për të hapur së afërmi një përfaqësi rezidente në Tiranë.

“Ndava me Turkovic dëshirën tonë për të reciprokuar në të ardhme të afërt për të hapur dhe ne në Bosnje dhe Hercegovinës. Jam e bindur që ky veprim do të  shërbejë si hap konkret për t’i çuar përpara marrëdhëniet tona”.

Ministrja theksoi se ka hapësirë për të shfrytëzuar lidhjen ekonomike dhe tregtare, për të rritur investimet dhe shkëmbimet tregtare.

“Në këtë aspekt është me rëndësi nënshkrimi i disa marrëveshjeve, që do të kenë ndikim te  qytetarët tanë, që do të jetë edhe ajo e lejeve të qarkullimit. Është koha që BE të ndërmarrë qasje më strategjike lidhur me rajonin tonë”.

Në vijim tha se Shqipëria mbështet unitetin dhe tërësinë territoriale të Bosnjes dhe Hercegovinës, procesin e saj të integrimit në NATO dhe në BE.

Sakaq, Bisera Turkovic u shpreh se janë të angazhuar që të ruajnë marrëdhëniet e mira fqinjësore, të cilat e kanë karakterizuar dialogun në vendet e Ballkanit.

“Bashkëpunimi rajonal në këtë aspekt mbetet kyç dhe një faktor i pazëvendësueshëm në rrugëtimin evropian. Varet nga të gjithë ne, nga politika e jashtme e Bosnjes, që ne të promovojmë paqen, stabilitetin dhe sigurinë brenda rajonit”.

Turkovic u ndal edhe te progresi që ka bërë Shqipëria për hapjen e negociatave dhe theksoi se kanë synime të përbashkëta drejt BE-së.

“Integrimi rajonal ekonomik në këtë treg do të jetë kryesor në transformimin e vendeve të Ballkanit”.

Sipas saj, lidhur me këtë Samiti i Sofjes në nëntor 2020 me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit kanë shprehur angazhimin e tyre që të punojnë fort drejt rrugës së tyre në BE si dhe tregun e njëjtë rajonal.

“I kemi kushtuar vëmendje inovacionit. Tregu mbetet konkurrues. Ne e shohim zgjidhjen e problemeve tona, duke pasur parasysh edhe fqinjët tanë në atë kuadër. Ky kuadër do të zgjidhë problemet ekzistuese aktuale. Ne kemi tre grupe etnike. Me këtë model, besojmë fort se do t’i zgjidhim këto probleme”, përmbylli Turkovic.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore