Sport

Xavi: Jam i etur për suksese me Barcelonën


Gjatë ditës së hënë, Xavi Hernandez është prezantuar edhe zyrtarisht si trajneri i ri i Barcelonës.

Së pari ai bëri prezantimin e tij në stadiumin “Cam Nou”, ku u prit nga një numër i madh tifozësh, pastaj mbajti edhe konferencën për media.

Ai e ka mirëpritur rikthimin në Barcelonë, i cili tha se objektivi i tij është që klubi “blaugrana” të rikthehet te rezultatet pozitive.

“Posa mora ftesën nga presidenti i klubit, e mirëprita atë, pasi që dua ta rikthejë Barcelonën tek sukseset”, tha fillimisht Xavi në konferencën për media.

“Jam shumë i emocionuar nga mënyra se si më kanë pritur tifozët. Jam shumë i emocionuar dhe i etur për të filluar të flas me lojtarët”.

“Barcelona gjendet në një krizë financiare, por duhet të punojmë sa më shumë, në mënyrë që të gjejmë titujt”, shtoi ai.

Tutje legjenda e klubit katalanas tha që pavarësisht se Barcelona gjendet në një moment aspak të mirë, në skuadër ka futbollistë me talent të madh, të cilët duhet të vihen në funksion për të bërë një ekip sa më të mirë.

“Barcelona ka një ekip dhe ka talent, që do të përpiqem t’ua transmetoj përvojën time lojtarëve për të marrë tituj”, theksoi trajneri i ri i Barcelonës.

Ndër tjerash 41-vjeçari shtoi se ai mori mesazhe urimi nga ish-shokët e skuadrës që luajti te Barcelona, derisa nuk e la pa përmendur edhe Messi-n, për të cilin shtoi se është futbollisti më i mirë që ka pasur ndonjëherë Barcelona.

“Më uruan të gjithë, Eto’o, Ronaldiniho dhe Messi më dërgoi mesazh për të më uruar fat. Messi është lojtari më i mirë i historisë së klubi, por tani ai është larguar dhe ne kemi lojtarët tjerë për të punuar me ta”, tha ndër tjerash Xavi në konferencën për media.

Kujtojmë që Xavi do të rikthehet në Barcelonë pas gjashtë vitesh, aty ku kaloi periudhën më të lavdishme si futbollist.

Ai ishte pjesë e skuadrës nga Katari, Al Sadd që nga viti 2015, ku fillimisht ishte si futbollist për katër vite, pastaj mori rolin e trajnerit.

Pas prezantimit të sotshëm, Xavi do të nisë stërvitjet me Barcelonën të martën, por përgatitjet priten të bëhen nga një numër i vogël lojtarësh, për shkak që futbollistët janë të angazhuar në ndeshjet ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore