Libra

Wittgenstein dhe traktati i tij logjiko-filozofik


Filozofi austriak, Ludwig Wittgenstein

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, i gjithë Idealizmi Gjerman, kantianizmi dhe hegelianizmi, si filozofi të mëdha për botën, njeriun, vetëdijen, historinë, etj, por edhe si trupëzim i racionalitetit perandorak prusian/gjerman, ishin në fokus të sulmeve teorike të pozitivistëve logjikë.

Pozitivizmi logjik (kryesisht grupi i mendimtarëve që e quanin veten Rrethi i Vienës), si rrymë filozofike rreptësisht shkencore, dhe e bazuar në zhvillimet e fundit në fizikë dhe matematikë (p.sh ndërrimi i paradigmës të së bërit shkencë nga “Relativiteti” i Einstein-it), burimin më të madh e gjen në veprën kanonike të filozofit austriak Ludwig Wittgenstein “Tractatus Logico-Philosophicus”.

Wittgenstein, edhe pse nuk ishte anëtar i këtij rrethi mendimtarësh, skicoi universin konceptual që ky rreth intelektualësh do ta përvetësontte. Vepra e tij lexohej rresht për rreshti, dhe ata rreshta do ta definonin të gjithë programin e pozitivistëve logjik.

Wittgenstein, për shkak të prapavijës së tij inxhinierike, u ngarkua me detyrën e  oficerit të artilerisë në ushtrinë austriake, dhe gjatë luftimeve të përgjakshme të Luftës së Parë Botërore, shkroi Traktatin e tij. Dhe kjo vepër ndërroi hesapet e të bërit filozofi njëherë e përgjithmonë.

Shkrimet e tij janë profetizëm sokratik që duhej të pranoheshin me admirim të qetë, ose hiç fare. Ai nuk e merr përsipër as ti shpjegojë pohimet e tij. Ai vetëm pohon. Dhe rreptësia logjike e traktatit është e pakompromisë, dhe u bë bibla logjike e “Rrethit të Vienës”.

Wittgenstein është i preokupuar me atë se si gjuha dhe mendimi duhet të jenë në mënyrë që të përfaqësojnë botën faktike në mënyrë adekuate. Bota është e gjithë gjendja e gjërave, dhe në mënyrë që ne të flasim për të, duhet të ekzistojë një ngjashmëri e plotë mes mendimit dhe gjuhës, një strukturë izomorfike, e njëformëshme.

Për të, logjika nuk tregon asgjë faktike për botën, për është e gjithë kontura ose bazamenti për të pohuar fakticitetin e botës, që bën të mundur pohimin e fakteve.

E gjithë puna që kishin bërë Gotlob Frege dhe Bertrand Russell, etërit intelektual të Wittgenstein-it, për matemitazimin e logjikës, dhe logjicizimin e matematikës, për të përbënin avansim të madh të mendimin logjik, por ata, sipas tij, nuk e kishin kuptuar rrjedhojat logjike të programit të tyre.

Çmistifikimi i logjikës dhe matematikës, ishte gjëja kryesore që kishte arritur ai. Të gjithë matematikën dhe logjikën Wittgenstein-i e deklaroi si të zbrazët dhe krejtësisht formale, analitike, pa përmbajtje faktike për botën, dhe tautologjike (s’thonë asgjë të re, vetëm shpalosin atë që është e përmbajtur brenda, p.sh “të gjithë beqarët janë të pamartuar” është tautologji).

Propozicionet analitike, sipas Wittgenstein-it, janë krejtësisht tautologjike dhe kuptimi i tyre është pastërtisht formal, pa përmbajtje.

Të gjitha pohimet matematikore, janë po ashtu tautologjike, dhe nuk përfaqësojnë asnjë fakt për botën, nuk kanë përmbajtje përbrenda, dhe njëjtë sikurse logjika, shërben vetëm transformuar një pohim faktik në një tjetër pohim faktik që është rrjedhojë e saj.

Wittgenstein vërente se matematika, të gjithë saktësinë, të gjithë vërtetësinë e saj apodeiktike, e ka vetëm për nga fakti se nuk i shton asgjë të re dijes sonë për botën, se është vetëm formale, dhe kjo gjë vërehet kur çmistifikohemi nga dukja e thellësisë së saj, dhe i analizojmë në mënyrën e duhur. Përfundimisht janë tautologjike.

Megjithëse Traktati i Wittgenstein-it u morr si zbulesë gati se hyjnore nga pozitivistët logjikë, shumëçka në të është edhe shqetësuese për empirizmin shkencor. Depërtimet e Wittgenstein-it ka një tingëllim të absolutes, një shenjtërim të logjikës, që është në shpërputhje me botën dhe përvojën për botën.

Ai flet gati se si mistik për çështjet etike dhe estetike, dhe në të njëjtën kohë mohon se ata kanë kuptim kognitiv.

6.41. Kuptimi i botës duhet të shtrihet jashtë botës. Në botë gjithçka është ashtu siç është, dhe gjthçka ndodhë ashtu siç ndodhë: brenda saj nuk ekziston asnjë vlerë – dhe edhe po të ekzistonte, s’do të kishte vlerë.

6.42. Pra, është e pamundur të ketë propozicione etike. Propozicionet kurrë nuk mund të shprehin gjëra që janë më të larta.

6.421. Është e qartë që etika nuk mund të thuhet me fjalë. Etika është transcendentale. (Etika dhe estetika janë e njëjta gjë).

6.522. Në të vërtetë ka gjëra që s’mund të thuhen me fjalë. Ato veten e tyre vetëm e manifestojnë. Ata janë mistike”, shkruan Wittgenstein ne Traktat.

Këto edhe janë pikëpamjet që pastaj pozitivizmi logjik i rrethit të Vienës do ti përvetësonin deri në absurditet, kur edhe vetë Wittgenstein-i i braktisë idetë e vete si të gabuara në pjekurinë e tij intelektuale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore