Sport

Witsel afër transferimit në Atletico Madrid


Futbollisti i Borussia Dortmund-it, Axel Witsel, është pranë transferimit te Atletico Madrid-i.

Sipas asaj që raportojnë mediat gjermane, Witsel ka arritur marrëveshje me klubin nga kryeqyteti spanjoll.

33-vjeçari në “Wanda Metropolitano” do të mbushë hapësirën boshe të krijuar nga largimi i Hector Herreras.

Mesfushori belg ka mbyllur një sezon mjaft pozitiv në Gjermani. Pas dëmtimit që e pësoi në janarin e vitit të kaluar, belgu u rikthye në garë si titullar i padiskutueshëm për ekipin gjerman, me të cilin bëri 42 paraqitje.

Me më shumë se 600 ndeshje në karrierë, Atletico do të bëhej klubi i gjashtë për futbollistin që ka luajtur për Standard Liege, Zenit, Benfica, Dortmund dhe në Kinë me Tianjin Tianhai.

Në parim, synimi është që javën e ardhshme ai të udhëtojë drejt Madridit për të kaluar ekzaminimet mjekësore dhe për të nënshkruar kontratën që do ta bashkonte me skuadrën e Diego Simeone-s për një sezon, me opsion rinovimin edhe një vit tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore