Aplikacione

WhatsApp, rritje e sigurisë së rezervimeve


WhatsApp, aplikacioni i ndërlidhjes dhe komunikimit, po punon për të rritur sigurinë e rezervimeve (backup) në cloud përmes një tipari të ri të mbrojtjes së fjalëkalimit.

Tipari i ri do të mundësojë siguri të shtuar përmes kriptimit të bisedave të rezervuara, duke i bërë ato të arritshme vetëm për përdoruesit.

WaBetaInfo, faqe informuese e kompanisë, kishte njoftuar për funksionin që vitin e kaluar.

Këtë herë ka ndarë disa pamje të ekranit në platformën Twitter sesi mund të paraqitet tipari në shërbimet e aplikacioneve iOS dhe Android.

“Për të parandaluar hyrjen e paautorizuar në rezervimin tuaj në iCloud Drive, mund të vendosni një fjalëkalim, i cili do të përdoret për të kriptuar rezervimet e ardhshme”, thuhet në një nga pamjet e ekranit. Më tej, thuhet se “fjalëkalimi do të kërkohet kur të kryhet rivendosja nga rezervimi”.

Hapi pasardhës është kërkesa e aplikacionit kundrejt përdoruesit, i cili duhet të konfirmojë numrin personal të telefonit dhe të përzgjedhë një fjalëkalim të gjatë me tetë karaktere.

Ndërsa, në një pamje tjetër të ekranit paralajmërohet se “WhatsApp-i nuk do të jetë në gjendje të ndihmojë në rikuperimin e fjalëkalimeve të harruara”.

Mirëpo, nëpërmjet funksionit të ri, rezervimet e ruajtura në internet në Google Drive dhe iCloud nuk janë pjesë e mbrojtjes.

Te këta servera, siguria e rezervimeve është përgjegjësi e ofruesve të shërbimeve cloud.

Lëvizja e WhatsApp-it vjen në një kohë në të cilën platforma ka marrë një goditje lidhur me politikat e ndjekura të privatësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore