Aplikacione

WhatsApp-i e drejton vëmendjen te përdoruesit amerikanë


Platforma WhatsApp, e cila numëron mbi dy miliardë përdorues, është një nga aplikacionet më të njohura të mesazheve në botë. Por tregjet e saj më të mëdha janë të gjitha jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Prandaj dhe kompania mëmë e saj, Meta, shpreson ta ndryshojë këtë.

Kështu, tregon faqja “The Verge”, kompania po nis promovimin e parë të marketingut në SHBA, duke u fokusuar në privatësinë e ofruar nga kriptimi i aplikacionit.

Të dielën e 30 janarit është planifikuar të shfaqet reklama e parë televizive.

Kurse reklama të tjera që mbrojnë privatësinë e WhatsApp-it do të fillojnë së shpejti të shfaqen në billborde në mbarë vendin dhe në internet.

Qëllimi i marketingut është që të tërheqë më shumë njerëz në SHBA për të kaluar në WhatsApp, duke theksuar sigurinë e aplikacionit në lidhje me metodat e tjera të mesazheve.

Kreu i platformës, Will Cathcart, ka thënë se “çka shohim në SHBA është se, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit me COVID, njerëzit po kalojnë shumë më tepër kohë nga jeta e tyre në internet”.

“Por ka një boshllëk të vërtetë në atë se sa njerëz po përdorin shërbime me enkriptim në SHBA, krahasuar me kudo tjetër në botë”, ka shtuar ai.

Sipas Cathcart, dallimi i ri mes riemërimit të kompanisë së Facebook-ut në Meta do të jetë më i dobishëm për përdoruesit pasi te ata është vënë re konfuzion. Sidomos te më pak të sofistikuarit.

Me kalimin e kohës, aplikacionet e mesazheve priren të krijojnë efekte të forta rrjeti, të cilat mund të jenë të vështira për t’u konkurruar.

Aplikacionet si Snapchat dhe iMessage, madje edhe Messenger-i i Facebook-ut, janë shumë më të njohura në SHBA krahasuar me WhatsApp-in.

Megjithatë, është e paqartë nëse një shtytje e marketingut do ta ndryshojë këtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore