Sport

West Ham-i transferon futbollistin e PSG-së


West Ham United ka bërë transferimin e gjashtë gjatë kësaj vere, teksa së fundmi kanë transferuar futbollistin e Paris Saint Germain, Thilo Kehrer.

Ky i fundit i ka kushtuar arkave të klubit anglez 12 milionë euro, me të cilët ka firmosur kontratë katër-vjeçare.

Pas transferimit në skuadrën londineze, Kehrer tha se është shumë i lumtur për këtë lëvizje.

“Jam shumë i emocionuar që nënshkruaj për West Ham United. Kjo është liga më e mirë në botë dhe jam i emocionuar që do të vij të luaj në Premier League”, tha fillimisht mbrojtësi 25-vjeçar.

“Kam biseduar me menaxherin dhe ai më tha se unë përshtatem në stilin e lojës së tij. Qëllimi im kryesor është që tani të futem në ekip, të integrohem brenda grupit dhe të kënaqem duke luajtur për Ëest Ham”, shtoi gjermani.

I lumtur për këtë transferim u shpreh edhe trajneri i West Ham-it, David Moyes, duke thënë se me Kehrer do të ketë më shumë opsione në mbrojtje.

“Jam shumë i kënaqur që mirëpres Thilo në West Ham United. Ai është një lojtar i talentuar, i cili mund të luajë në disa pozicione në mbrojtje”, tha Moyes.

Kujtojmë që Kehrer iu bashkua PSG-së nga Schalke në moshën 21-vjeçare në vitin 2018 për një shifër prej 37 milionë euro.

Ai në total ka bërë 128 paraqitje në të gjitha garat me kampionët e Fracës, ku është aktivizuar në qendër të mbrojtjes dhe në krahë.

Gjatë kohës së tij në Paris ai fitoi tre tituj të Ligue 1, dy Coupes de France dhe një Coupe de La Ligue.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore