Sport

Werner: U largova pasi nuk u përshtata me stilin e lojës së Tuchel-it


Nga Leipzig-u u transferua te Chelsea për 53 milionë euro në verën e vitit 2020, por dy vite më vonë rikthehet përsëri te klubi gjerman, për një transferim që kapi shumën e 20 milionë eurove.

Bëhet fjalë për sulmuesin e kombëtares së Gjermanisë, Timo Werner, të cilit nuk i shkoi edhe aq mirë aventura te Chelsea.

26-vjeçari, i cili firmosi kontratë katër-vjeçare me Leipzig-un, shpjegoi në një prononcim për mediat gjermane pse vendosi të largohej nga Premier League.

“Për mua, të luaj futboll është ajo që ka më shumë rëndësi”, tha fillimisht sulmuesi i kombëtares gjermane.

“Kisha suksese te Chelsea, por gjatë fundit të aventurës filloi të më zbehej dëshira për të luajtur futboll. Arsyeja lidhet me faktin që nuk po luaja më rregullisht”, shtoi Werner.

“Mendoj që sistemi i lojës së Tuchel nuk më përshtatej, kështu që duhet ta bëja një tjetër hap në karrierë, pasi gjendem në një moshë ku do të dua të luaj sa më shumë”.

Në fund gjermani përsëri tha që te Chelsea kaloi momentet më të mira të karrierës së tij.

“Chelsea është suksesi më i madh i karrierës time dhe do të jetë gjithmonë një klub i veçantë për mua. Vazhdoj t’i mbaj kontaktet me shokët, por më duhej të ndryshoja”, deklaroi Timo Werner.

Kujtojmë që Werner gjatë periudhës së tij te blutë e Londrës fitoi Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe Botërorin për Klube, teksa regjistroi në total 89 ndeshje në të gjitha garat, ku shënoi 23 gola.

Ndërsa që në ndeshjen e parë me Leipzig-un, ai shënoi një gol.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore