Pajisje

Washington-i ndalon licencat për kompanitë amerikane për të eksportuar teknologjinë te Huawei


Administrata e Joe Biden-it ka ndaluar dhënien e licencave për kompanitë amerikane për të eksportuar teknologjinë amerikane në Huawei.

E gjitha teksa administrata amerikane po shkon drejt vendosjes së një ndalimi total të shitjes së teknologjisë amerikane te gjigandi kinez i pajisjeve të telekomunikacionit.

Disa njerëz të njohur me diskutimet brenda administratës kanë treguar se Departamenti i Tregtisë ka njoftuar disa kompani se nuk do të jepte më licenca për të eksportuar teknologjinë amerikane në Huawei.

Sakaq, masa shënon pikën më të fundit në fushatën e Washington-it për të frenuar kompaninë e teknologjisë, për të cilën zyrtarët e sigurisë kombëtare besojnë se ndihmon Kinën të përfshihet në spiunazh.

Administrata e mëparshme e Donald Trump-it vendosi kufizime të rënda në eksportimin e teknologjisë në Huawei, por Departamenti i Tregtisë u kishte dhënë licenca disa kompanive për produkte që nuk kishin lidhje me rrjetet 5G me shpejtësi të lartë.

Alan Estevez, kreu i zyrës së industrisë dhe shërbimit të departamentit, ka udhëhequr një rishikim të politikës së lidhur me Kinën në një përpjekje për të përcaktuar nëse SHBA-të do të ndërmerrnin hapa të mëtejshëm për të kufizuar eksporte të tilla.

Ndërkohë, lëvizja vjen pasi Washington-i shton përpjekjet për të punuar me aleatët për të ngadalësuar shtytjen e Kinës për të zhvilluar teknologjinë më të avancuar të tillë gjysmëpërçues që përdoren në inteligjencën artificiale dhe armët hipersonike.

Javën e kaluar, SHBA-të arritën një marrëveshje trepalëshe me Japoninë dhe Holandën që do të vendoste kufizime ndaj kompanive në ato vende që eksportojnë pajisje të caktuara për prodhimin e çipave në Kinë.

Kurse në tetor vendosën kufizime të njëanshme ndaj kompanive amerikane nga eksportimi i mjeteve të prodhimit të gjysmëpërçuesve.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore