Lajme

Vulin qorton SHBA-të: Serbia vendos vetë për politikën e saj të jashtme


Aleksandër Vulin

Për ministrin i Brendshëm të Serbisë, Aleksandër Vulin, Serbia nuk ka bërë asgjë kundër të drejtës ndërkombëtare kur ka nënshkruar Marrëveshje me Rusinë për koordinim të politikës së jashtme.

Reagimi i tij ka ardhur pasi që Departamenti i Shtetit Amerikan e ka konsideruar marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë dhe atij të Rusisë “si një hap në drejtim të gabuar”.

“Serbia nuk ka bërë asgjë që është kundër interesave të qytetarëve të saj, që për ne në Serbi është masa e të gjitha gjërave”, ka thënë Vulin.

Sipas Vulin, Serbia është një shtet i lirë i cili vendos vetë se cilat shtete janë miqtë e saj dhe si të bashkëpunoj me ta.

“Ashtu si në shembullin e mosrespektimit të integritetit territorial të Serbisë dhe duke kërkuar që Ukraina të jetë e paprekshme, SHBA-të konfirmojnë se hipokrizia dhe standardet e dyfishta janë konstantet e vetme të politikës së fuqive të mëdha, Serbia nuk është vend i madh, por nuk është as rezervë, ne vendosim vetë”, ka shtuar ai.

Ndryshe Departamenti Amerikan duke iu referuar marrëveshjes së fundit të nënshkruar ndërmjet Serbisë dhe Rusisë pati deklaruar se asnjë vend nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë derisa ajo vazhdon agresionin kundër Ukrainës.

“Lajmet për marrëveshjen janë befasuese dhe në kontrast të plot me takimet e tjera konstruktive të mbajtura me zyrtarë serbë në New York”, pati deklaruar njëri nga Zëdhënësit e Departamentit të Shtetit Amerikan

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore