Lajme

“Vulin, lëshoje ujin”, Kastrati kritikon qeverinë për reagim të dobët ndaj deklaratave të Vulin-it për Reçakun


Ardian Kastrati

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës ka kritikuar Qeverinë e Kosovës pasi që këta të fundit kanë reaguar dobët në lidhje me deklaratat e ministritë serb të Punëve të Brendshme, Aleksandër Vulin i cili ka mohuar masakrën e Reçakut.

Kastrati fjalimin e tij në foltoren e Kuvendit e ka mbajtur me një pankartë të shpalosur përpara vetes, ku shkruhej  “Vuline, pusti vodu”, që në shqip do të thotë “Vulin, lëshoje ujin”.

“Një figurë groteske e dal nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, ky ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin tha që masakra e Reçakut është ngjarje fiktive. Kjo jo që nuk pritet prej tij, mirëpo është e çuditshme që nuk pat reagim të ashpër nga kjo qeveri”, ka thënë Kastrati.

Sipas tij Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla me padurim pret që të shkojë në Gjykat Speciale e të flas për Kadri Veselin e Hashim Thaçin, e aspak nuk ka reaguar pas deklaratave të Vulinit.

Të premten 10 dhjetor, Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, pas vizitës në ekipin i cili po xhiron filmin për ngjarjet në Reçak, si pjesë e serisë së dokumentarëve “Dosja e Kosovës”, ka thënë se kjo masakër nuk ka ekzistuar asnjëherë.

“Reçaku është një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”, ka thënë Vulin.

Aleksandër Vulin

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë dhe as të zgjuar për t’i treguar gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër si kundërpërgjigje ndaj deklarimeve të ministrit serb, ambasadori amerikan, Walker, ka potencuar se përpjekja zyrtare e Serbisë për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për arsye se disa zyrtarë aktualë në Beograd ishin të përfshirë në krimet kundër njerëzimit në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore