Lajme

Vulin: Krijimi i ‘botës serbe’ siguron paqen afatgjatë në Ballkan


Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, deklaroi se, “kur gjermanët u bashkuan dhe përfundoi rishikimi i rezultateve të Luftës së Dytë Botërore, askush nuk u shqetësua. Ndërsa tani, të gjithë shqetësohen pse serbët duan të jetojnë në një shtet”.

Në vijim, ai tha se “beson në krijimin e botës serbe”. Kjo, sipas tij, zgjidh çështjen kombëtare të serbëve, që ndalon përhapjen e “Shqipërisë së Madhe”.

Gjithashtu, pohoi ai për të përditshmen “Vecernje Novosti”, “garanton serbët se gjenocidi ndaj tyre nuk do të ndodhë më kurrë dhe, mbi të gjitha, siguron paqen afatgjatë në Ballkan”.

Ministri foli edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të cilin tha se “ndonëse jemi vëllezër të luftës, nuk është e pazakontë që ne mendojmë ndryshe”.

Vulin tha se “shpesh dëgjoj që të gjithë do të jetojmë në Bashkimin Evropian, kështu që nuk ka nevojë të bashkohemi në shtetin serb”.

Po ashtu, vuri theksin ai, “është harruar fakti që ne kemi jetuar kështu për disa shekuj nën Perandorinë Osmane, për disa dekada nën Austro-Hungari dhe për katër vite nën komandën e Rajhut të Tretë”, theksoi Vulin.

Në përmbyllje, ai thotë se zgjidhja “nuk është që të gjithë serbët të jetojnë së bashku në një vend të huaj, por që shumica e serbëve të jetojnë në vendin e tyre. Falë Vuçiçit, serbët janë bërë një popull i vetëm dhe kjo nuk do të mund të ndalet më”.

Përshtatur nga ba.n1info për Albanian Post

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore