Kosova

Vuçiç takohet me Sinodin e Kishës Ortodokse Serbe, e informon për gjendjen në Kosovë


Takimi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohet me Sinodin e Kishës Ortodokse Serbe (organi më i lartë i qeverisjes së kishës) dhe me përfaqësues të tjerë për t’i informuar ata për situatën aktuale në Kosovë.

Të paktën kështu bënë të ditur media e afërt me presidentin serb ‘Novosti’.

“Sipas burimeve tona, do të jetë një mundësi që kreu i shtetit të informojë personalitetet e kishës për tensionet në Kosovë të shkaktuara nga lëvizjet e qeverisë së Albin Kurtit, e cila shkeli brutalisht Marrëveshjen e Brukselit”, raporton media e afërt me pushtetin në Serbi, ‘Novosti’.

Kisha Ortodokse Serbe, nacionaliste e shoviniste, gjithmonë ka qenë në shërbim të politikës dhe politikanëve.

Ajo nuk kryen vetëm misionin e ideologjisë, përkatësisht të doktrinës fetare, por mishëron edhe idenë e shtetit etnik serb apo ‘Serbinë e Madhe’.

Nderkaq, Vuçiç ka thirrur edhe seancë të jashtëzakonshme të qeverisë serbe më 5 nëntor, ku do të dorëzojë raportin për Kosovën, pas bisedimeve me përfaqësuesit e ‘Listës Serbe’, të cilët deklaruan se do të largohen nga institucionet e Kosovës.

“Qeveria e Serbisë nesër do të mbajë një seancë ku presidenti Aleksandër Vuçiç do të dorëzojë raportin për bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, të cilët paralajmëruan tërheqjen e tyre nga të gjitha institucionet e Prishtinës për shkak të lëvizjeve të fundit të kryeministrit Albin Kurti”, raportoi Radio Televizioni i Serbisë.

Gjithashtu, për shkak të situatës në Kosovë, thuhet se Vuçiç ka anuluar të gjitha vizitat zyrtare jashtë vendit, por do të zhvillojë takime në Beograd me ambasadorin kinez Chen Bo, e më pas edhe me ambasadorin rus, Aleksandër Bocan Harchenko.

Nga ana tjetër, këtë të shtunë, kur kryetari i ‘Listës Serbe’, Goran Rakiç, do mbajë konferencën për media, do të kuptohet nëse serbët do largohen përfundimisht nga institucionet, si protestë e vendimit të Qeverisë së Kosovës që të qortohen serbët që vozisin vetura me targa ilegale.

Serbët e Kosovës, shumica dërrmuese, nuk duan të heqin dorë nga targat që lëshohen në Serbi. Një pakicë tjetër që ka provuar t’i ndryshojë targat dhe të kalojë në ato të Kosovës, ka parë veturën e djegur të nesërmen, nga strukturat ilegale paramilitare atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore