Lajme

Vuçiç: Serbia s’do ta njohë kurrë Srebrenicën si gjenocid


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një dalje publike, tha se nuk do të lejojë miratimin e Rezolutës në Mal të Zi, për shpalljen e Srebenicës si një gjenocid.

Sipas tij rezoluta është e përgjithësuar dhe “nuk përmend individë që kryen veprime të tmerrshme” .

Të enjten e 17 qershorit Parlamenti malazez miratoi një rezolutë që dënon gjenocidin e Srebrenicës dhe shkarkoi një ministër pro-serb i cili kohët e fundit mohoi masakrën.

Kjo çoi edhe në një përçarje brenda koalicionit qeverisës.

Vuçiç tha se asnjë rezolutë mbi Srebrenicën nuk do të kalojë në Serbi për sa kohë që ai do të jetë president.

“Rezoluta malazeze është kundër interesave jetike të popullit serb”, theksoi ai.

Në mars të 2010-ës, Parlamenti serb miratoi Deklaratën mbi Srebrenicën, e cila dënoi krimin e kryer kundër boshnjakëve në korrik 1995-ën, por, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, ajo nuk e cilësoi atë si gjenocid.

Kërkesa për shkarkim

Më 5 prill të këtij viti, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapic, i kërkoi parlamentit të miratojë shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Vladimir Leposaviç.

Kjo kërkese erdhi pasi ministri shprehu dyshimin në lidhje me vendimet e gjykatave ndërkombëtare, që klasifikojnë masakrat e Srebrenicës si gjenocid.

Krivokapic tha se ai e thirri ministrin të jepte dorëheqjen në një bisedë private, por Leposaviç refuzoi.

“Meqenëse Leposavic ka qëndruar në pozicionin e tij, unë mora vendimin e vështirë për të filluar një propozim për shkarkimin e tij. Është e papranueshme që ministri i Drejtësisë të shprehë pikëpamjet e tij private”, tha Krivokapic.

Leposaviç, një politikan pro-serb, argumentoi muajin e kaluar se gjykata e OKB-së për krimet e luftës në Hagë, e cila klasifikoi masakrën e Srebrenicës si gjenocid, nuk kishte asnjë legjitimitet.

Ai pretendoi se ajo, kishte shkatërruar provat në lidhje me trafikimin e organeve të serbëve civilët në Kosovë.

“Unë jam gati të pranoj se krimi i gjenocidit u krye në Srebrenic, kur të vërtetohet pa dyshim”, tha ai.

Njohja si gjenocid

Udhëheqësit politikë të partive pro-serbe në Mal të Zi, vazhdimisht kanë refuzuar të pranojnë përkufizimin e Tribunalit të Hagës, duke thënë se vrasjet në Srebrenicë ishin një krim lufte, por jo gjenocid.

Partitë e opozitës dhe një iniciativë qytetare filluan një peticion në internet për dorëheqjen e Leposaviç, duke argumentuar se deklarata e tij minonte reputacionin ndërkombëtar të Malit të Zi.

Pasi ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoric i bëri thirrje qeverisë së Malit të Zi javën e kaluar të deklarojë qartë se masakrat e Srebrenicës ishin gjenocid, qeveria e Krivokapic tha se respekton vendimet e të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe dënon të gjitha krimet e luftës.

Në 2009-ën, parlamenti malazez miratoi një deklaratë që pranon një rezolutë të Parlamentit Evropian mbi Srebrenica, e cila miratoi 11 korrikun si një ditë përkujtimi në Malin e Zi për viktimat e masakrave të vitit 1995.

Por megjithëse deklarata dënoi krimet, si dhe krime të tjera të kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi, fjala gjenocid nuk u përmend.

Në dhjetor 2020-ës, Partia Boshnjake e opozitës e Malit të Zi propozoi një rezolutë parlamentare për të njohur gjenocidin e Srebrenicës, por shumica qeverisëse votoi kundër tij.

Masakra e Srebenicës

Në korrik 1995-ës, forcat nga Republika Srpska e shkëputur nga Bosnja dhe aleatët paraushtarakë vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem kryesisht myslimanë në qytetin e Srebrenica.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) kaloi vite duke hetuar masakrën.

ICTY zbuloi se forcat serbe të Bosnjës filluan planifikimin e gjenocidit gjatë fazës përfundimtare të Luftës tre-vjeçare të Bosnjës, në Mars 1995.

Objektivi i forcave serbe të Bosnjës ishte kapja e Srebrenicës, e cila ishte shpallur pjesë e një zone të sigurt të OKB-së në 1993.

Kur sulmuesit pushtuan Srebrenicën më 11 korrik dhe morën paqeruajtësit peng, rreth 25 mijë boshnjakë u larguan në periferi të qytetit.

Një ditë më vonë, sulmuesit filluan t’i sulmojnë, përdhunojnë dhe t’i vrasin ata.

Më 12 dhe 13 korrik, vajza, gra dhe refugjatë të moshuar u ngarkuan në autobusë dhe u drejtuan për në rajonet nën kontrollin e boshnjakëve.

Pasi vranë më shumë se 8 mijë njerëz nga 13 deri më 17 korrik, sulmuesit hodhën trupat e tyre në varre masive.

Pas masakrës, ushtarët serbë të Bosnjës rihapën varret masive me makineri të rënda dhe zhvendosën mbetjet njerëzore në varret dytësore dhe terciare.

Qëllimi i tyre ishte të fshihnin krimet e tyre. Patologëve iu është dashur të marrin dhe copëtojnë mbetjet njerëzore nga zona të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore