Lajme

Vuçiç serbëve të Kosovës: U premtoj miliona, ju veç ruani shtëpitë


“Nëse dy prindër të punësuar kanë tre fëmijë, atëherë do të marrin 500 euro, por nëse dy prindërit nuk janë të punësuar, atëherë do të marrin edhe 200 euro shtesë, pra 700 euro”, ky ka qenë premtimi për serbët e Kosovës i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe në Kosovë në kazermën e Kurshumlisë në Serbi.

Ai ka falënderuar serbët që kanë votuar Listën e mbështetur nga ai, duke thënë se duan t’i ndihmojnë serbët e Kosovës me miliona euro.

“Është një shumë e madhe parash, dhjetëra miliona euro, por ne duam të ndihmojmë, veçanërisht të varfrit”.

Vuçiç ka akuzuar partitë tjera serbe në Kosovë, e që sipas tij nuk ia duan të mirën popullit serb.

Sipas tij, liderët kosovarë “kanë dhënë para” për t’i ndarë serbët.

“Dua të konfirmojë se liderët shqiptar në Kosovë për të arritur këtë ndarje mes nesh kanë dhënë shuma marramendëse parash por ishin të pasuksesshëm”.

I pari i Serbisë, ka premtuar edhe rinovimin e rrugës magjistrale Mitrovicë e Veriut – Jarinje, spital për Graçanicë dhe Mitrovicën e Veriut.

“Do të jetë si një pistë, asfalt i rregulluar prej gjashtë metrash” tha ai.

Po ashtu Vuçiç ka thënë  se do të ndërtohet objekti për Universitetin paralel të Prishtinës, që tash ka bazën në Mitrovicë të Veriut.

“Do të jetë një simbol i forcës në Mitrovicë, në zonën më urbane serbe në Kosovë”, shtoi ai.

Në fund, presidenti i Serbisë porositi serbët siç tha ai të “ruajnë shtëpitë e tyre në Kosovë”.

Në zgjedhjet e fundit në Kosovë, Lista Serbe, ka bërë një agresion kushtetuese, duke urdhëruar votuesit serbë që të mos i votojnë vetëm kandidatët e Listës, por ta shpërndajnë votën edhe për kandidatët të komuniteteve të tjera, të cilët janë marrë vesh që të mbështesin më pas politikisht Listën.

Kështu, kandidatët boshnjakë e romë të partive të ndryshme, kanë marrë vota në lokalitetet ku jetojnë vetëm serbë dhe historikisht s’ka votues as boshnjakë e as romë.

Deformimi i vullnetit të qytetarëve ka alarmuar partitë shqiptare, megjithatë janë treguar të pafuqishme të pengojnë strategjinë e serbëve.

Tani, në legjislaturën e ardhshme, pritet që përveç 10 deputetëve të vetë, lista të kontrollojë edhe tre ose katër deputetë të komuniteteve të tjera.

Megjithatë, pas presionit të madh publik dhe shkrimeve të shumta të mediave, Prokuroria e Shtetit në Kosovë ka nisur hetimet ndaj kandidates për deputete të komunitet boshnjak, Adriana Hoxhiq, e cila ka arritur t’i sigurojë rreth 6400 vota në zgjedhjet e 14 shkurtit në komunat ku s’jeton asnjë boshnjakë i Kosovës.

Vetë Hoxhiq, edhe në një intervistë për Albanian Post, pati mohuar se ka ndonjë marrëveshje me Listën. Thoshte se votat mbase kanë ardhur për shkak të punës së saj në venbanime serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore