Lajme

Vuçiç: Pranuam shumëçka, por nga Qeveria e Kosovës deshën qe t’i lusim


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një konferencë për media ka thënë se “Qeveria e Kosovës i ka kërkuar Serbisë që t’i lusin, ani pse sipas tij Serbia ka pranuar shumëçka vetëm që të mbahen zgjedhjet serbe në territorin e Kosovës”.

“Ne kemi rënë dakord që të përfshijmë në tekst edhe kërkesë bashkëpunim nga Kosova për t’i mundësuar OSBE-së të zhvillojë zgjedhjet. Në fund kërkuan që Qeveria e Serbisë t’i lutet Qeverisë së Kosovës. Ne kemi pranuar marrëzi të panumërta vetëm për t’i lejuar serbët të votojnë, por ata insistuan në një gjë, që Serbia ta njohë Kosovën. Serbia nuk do ta pranojë këtë”, është shprehur Vuçiç.

Presidenti serb deklarimin për media e ka bërë pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe ambasadorët e QUINT-it.

Siç është shprehur Vuçiç, qasja e Listës e ka befasuar.

“Ka qenë një qasje disi më radikale”, deklaroi Vuçiç, duke aluduar në kërkesën e tyre për tërheqje nga institucionet e Kosovës.

“U kërkoj të mendojnë përsëri dhe të besojnë në përvojën time dhe në nuhatjen time politike. Serbët nga Kosova pothuajse unanimisht kërkuan jo vetëm që të tërhiqen menjëherë nga të gjitha institucionet, por edhe kërkuan që 435 policë nga veriu i Kosovës të lënë armët dhe uniformat”, ka thënë Vuçiç.

Por, sipas tij çfarë do bëjnë serbët e Kosovës pas një vendimi të tillë edhe pse shteti serb do të jetë me ta, por “shteti vetëm po lutet për pak mirëkuptim dhe durim”.

 

Vuçiç: Serbët nga Kosova do të votojnë në Serbi

Presidenti serb ka kërkuar përfaqësuesve të Listës Serbe që bisedimet të vazhdojnë mes Beogradit dhe Prishtinës më 8 dhe 9 prill.

Vuçiç është shprehur se për serbët nga Kosova do të përgatiten vendvotime në komunat në Serbi ashtu siç ishin përgatitur për referendumin.

Ai ka folur edhe për luftën në Ukrainë.

“Së pari, ne diskutuam të gjitha aspektet politike, ekonomike dhe sociale të krizës ukrainase. Ne kemi ndarë detyra të reja. Me besimin më të mirë se ne mund të zbusim të gjitha pasojat e krizës më të keqe që ka kapluar botën”.

“Ne kemi rënë dakord të blejmë një sasi të re nafte për rezervat tona strategjike, kemi rënë dakord për një sasi të re qumështi pluhur që sapo ka filluar nga një vend u BE-së, mijëra tonë”, është shprehur ai.

Pas refuzimit të kërkesës së shteteve të QUINT-it nga Republika e Kosovës për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme serbe më 3 prill edhe në territorin e Kosovë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka mbajtur një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare që pasoi me një takim me Listën Serbe.

Ai kishte thirrur në takim urgjent edhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it, takim ky që zgjati mbi dy orë.

Refuzimin e kërkesës së QUINT-it nga ana e Kosovës, e ka bërë të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore