Lajme

Vuçiç për Rashiç’in e Trajkoviç’in: Janë llumi më i keq serb


Aleksander Vucic

Pas vendimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për ta ngarkuar politikanin serb, Nenad Rashiç, me detyrën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një lidhje telefonike në televizionin Pink, ka thënë se kreu i ekzekutivit kosovar zgjodhi “llumin më të keq serb”.

“Zgjodhën llumin më të keq serb, nuk kanë besimin e askujt në Serbi, por kanë besimin e Albin Kurtit dhe agjencive perëndimore”.

Presidentit serb i doli problem edhe me Rada Trajkoviç’in, aktiviste e të drejtave të serbëve të Kosovës, e cila është caktuar si këshilltare politike e ministrit të sapoemëruar.

“Zgjedhja e Rashiç’it, njeriut që fitoi më pak se 1 për qind, si dhe Rada Trajkoviç’it, e cila është në kabinetin e tij, tregon se ata duan përndjekjen, dëbimin dhe zhdukjen e serbëve në Kosovë”.

Sipas tij, vendimi i Kurtit paraqet shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, e nënshkruar në vitin 2013 mes Kosovës dhe Serbisë dhe për këtë gjë, “duhej të kishte marrë dënimin e merituar të BE-së”.

“Tani kam disa gjëra për të thënë, para fjalimit zyrtar dhe takimit me (Oliver) Varhely’in, nëse bie fjale për këtë”, theksoi Vuçiç duke rrëshqitur tutje në konspiracione.

“Ata mendojnë se do të na trembin. Nuk ka problem. Ju mund të shkatërroni presidentin serb, të organizoni protesta, të më vrisni mua”.

Sa i përket Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të organizohet të martën e 6 dhjetorit, në Tiranë, Vuçiç pohoi se askush nga pala serbe nuk do të shkojë në kryeqytetin e Shqipërisë.

“Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë dhe ju kaloni bukur, udhëtoni me avion, flisni marrëzira, të gjithë nga Evropa dhe Ballkani Perëndimor”, u shpreh ai.

Ndryshe, shefit të shtetit serb, i ka ardhur edhe mbështetja e Listës Serbe, përfaqësuesit e së cilës dhanë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës si shenjë revolte ndaj vendimit të shkallëzuar për targat ilegale.

“Populli serb i ofron mbështetje të plotë presidentit Aleksandër Vuçiç në luftën për të vërtetën, drejtësinë dhe një jetë më të mirë të qytetarëve serbë”.

“Në këtë luftë, President, keni mbështetjen e plotë të serbëve të Kosovës, sepse nga këtu nuk ka më kthim”, shkruan ata në një postim në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore