Lajme

Vuçiç për Radojeçiç-in: A është në Kosovë apo jo, kjo është çështje e tij private


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i pyetur nga gazetarët për video-mesazhin e Milan Radojiçiçit nga Leposaviqi të martën, tha se beson se ka të drejtë të qëndrojë apo të jetojë ku të dojë.

“E ku duhet të jetë Radojiçiç, kush është nga Kosova? Apo dëshironi që ne të urdhërojmë që njerëzit të tërhiqen nga veriu i Kosovës në pjesën qendrore të Serbisë? Ku është Radojiçiç, në Kosovë apo jo, është çështje e tij private. Nuk ka lidhje me shtetin dhe nuk ka pasur asnjëherë”, tha Vuçiç.

Ai kundërshtoi faktin që disa media e quajnë Radojiçiç-in një biznesmen kontrovers.

Ndryshe, përmes një video-mesazhi, Milan Radojçiç, i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç, është lajmëruar nga veriu i Kosovës, konkretisht nga Leposaviqi.

“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, thotë Radojçiç.

Nënkryetari i Listës Serbe, po ashtu është vendosur në listën e të kërkuarve për rastin “Brezovica”.

Më 3 shkurt, Radojçiç kishte arritur t’i arratiset Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak.

Radojiçiç ishte duke u futur në Kosovë nga Serbia kur u ndalua nga organet e rendit dhe në momentin kur polici kufitar ka kontrolluar dokumentet e tij ka rezultuar se ai është person në kërkim.

Në atë moment, ai ka vozitur makinën e tij mbrapa dhe është arratisur për në Serbi.

“Po ka lidhje drejtpërdrejt me rastin Brezovica”, pati konfirmuar prokurori Rasim Maloku për AP, duke shpjeguar mëtej rastin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore