Lajme

Vuçiç për policët serbë: E mbrojtën Kosovën kur u sulmua nga jashtë


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në ceremoninë e shënimit të Ditës së Policisë në Serbi, ka falënderuar zyrtarët policorë serbë, duke thënë se ata mbrojtën “territorin e Kosovës kur u sulmua nga jashtë”.

Njëkohësisht ai ka kërkuar nga oficerët e policisë që ta bëjnë punën e tyre me përkushtim të plotë, zell dhe përpjekje të madhe.

“U jam mirënjohës të gjithë oficerëve të policisë, aktivë dhe pensionistë, të cilët kanë mbrojtur territorin e Kosovës. Faleminderit të gjithëve që kanë qenë gjithmonë me njerëzit tonë. Unë jam krenar për ju”, është shprehur Vuçiç, raporton agjencia e lajmeve Tanjug.

Sipas presidentit serb, “është shumë e rëndësishme të kesh një polici të fortë, zjarrfikës dhe njerëz që ndihmojnë gjatë çdo katastrofe natyrore”.

“Policia është atje, për të mbajtur rendin dhe qetësinë, që të ketë një garanci për të gjithë se mund të jenë të sigurt se fëmijët e tyre do të shkojnë lirshëm në shkollë, do të shkojnë në qytet dhe se do të kthehen në shtëpitë e tyre të sigurt”.

Ai ka folur edhe për miratimin e rezolutës për Srebrenicën nga Kuvendi i Malit të Zi.

“Për një vit e gjysmë dëgjoj se Serbia po përzihet në punët e brendshme të dikujt. Kush jemi ne që të arbitrojmë sot mes Turqisë dhe Armenisë, ne merremi me punët tona. Ne reaguam me qetësi ndaj kësaj, nuk thashë asnjë fjalë të shëmtuar për këdo. E rëndësishme është që njerëzit tanë në rajon të ngrenë kokën. E di se ka disa gjëra aty për të cilat u pengoj”, ka thënë Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore