Lajme

Vuçiç: Nuk planifikoj të nënshkruaj asgjë në Ohër – nëse pranohet Asociacioni vështirësohet puna për ne


Aleksander Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një fjalim drejtuar kombit serb, tha se “nuk planifikon të nënshkruajë asgjë” në takimin e 18 marsit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që do të zhvillohet në Ohër.

Vuçiç gjatë adresimit të tij të enjten pasdite tha se “nuk ka ende një draft të asaj që do Bashkimi Evropian” në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne e kemi dorëzuar propozimin tonë, shqiptarët të tyrin. Nuk kemi marrë ende asgjë nga Brukseli dhe ai dokument ende nuk ekziston”, tha Vuçiç, teksa shtoi se shteti serb duhet të ketë marrëdhënie të mira fiqnjësore me Kosovën.

“Normalizimi është të kemi marrëdhënie më të mira me shqiptarët sesa sot, të zgjidhim probleme të panumërta dhe të përpiqemi të jetojmë bashkë aq sa është e mundur, e nëse jo – atëherë pranë njëri-tjetrit”, tha ai.

Gjithashtu, siç transmeton Radio Evropa e Lirë, presidenti serb përsëriti se Serbia nuk do të heqë dorë nga kërkesa për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Nëse shqiptarët pranojnë ta formojnë Asociacionin, do të ketë gjëra që nuk janë të lehta për ne dhe nuk do ta fsheh asnjërën para njerëzve. Por, rezultati për vendin tonë do të jetë i mirë dhe kjo është më e rëndësishmja”, tha ai.

Më 18 mars, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe i emisari special për dialogun, Miroslav Lajçak, fillimisht do të zhvillojnë takime dypalëshe me Kurtin dhe Vuçiç-in, dhe më pas është paraparë të mbahet takimi i përbashkët.

Takimet dypalëshe pritet të nisin paraditen e së shtunës. Kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm që gjatë takimit të Ohrit të nënshkruajë propozimin evropian, por Vuçiç ka shprehur qëndrimin se nuk i shkon “në mendje” të nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Diplomatët perëndimorë shpresojnë që të arrihet përparim në takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut disa ditë para se shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të raportojë në Këshillin Evropian për rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore