Lajme

Vuçiç: Nuk ka INTERPOL e UNESCO për Kosovën


Pas përfundimit të marrëveshjes njëvjeçare të nënshkruar në Uashington, Serbia po pret që Kosova të hedh hapin e parë të lobit në arenën ndërkombëtare, për të filluar më pas me fushatën për çnjohje.

Më 4 shtator të vitit të kaluar, ish-kryeministri kosovar Avdullah Hoti e presidenti serb Aleksandër Vuçiç nënshkruan dy zotime të ndara se shteti i Kosovës nuk do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse ai i Serbisë do të ndalojë së kërkuari nëpër botë tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Dy ditë pas skadimit të kësaj marrëveshje, nuk dihet zyrtarisht nëse këtë ujdi e ka shkelur Beogradi zyrtar, por Vuçiç thotë ka vende që janë të gatshme t’i tërheqin njohjet, posa Prishtina të aplikojë diku për anëtarësim.

Madje parasheh të krijojë barriera edhe në INTERPOL dhe UNESCO, ndërsa në Këshillin e Evropës e kanë më vështirë, pasi që e pranojnë se “Kosova gëzon mbështetje”.

“Në INTERPOL dhe UNESCO ne do t’i mundim ata. Në Këshillin e Evropës, shumë e vështirë për ne. Por, kandidimi i tyre i parë zyrtar do të na e hapë derën dhe më pas ne do t’u tregojmë atyre se nuk mund të rrimë duarkryq, e mund të veprojmë me përgjegjësi dhe reciprocitet”, deklaroi Vuçiç për TV Prva.

Planet e Kosovës për anëtarësim në këto tri organizata, Vuçiç i përmendi edhe në forumin e Bledit në Slloveni, gjë që e quajti shkelje të ujdisë së Uashingtonit.

Gjasat më të mëdha për triumf janë në Këshillin e Evropës, në të cilin për Kosovën raporton Peter Beyer. Nëse aplikohet, thuhet se anëtarësimi këtu është i sigurt. Por nga pala kosovare nuk është treguar deri më tash nëse ka ndonjë plan strategjik për aplikim në këto organizata.

Përgjatë  një viti të plotë nuk pati lëvizje zyrtare që mund të cilësohen shkelje të zotimeve të bëra në zyrën ovale, ani se qeveria aktuale gjithë ujdinë e Shtëpisë së Bardhë e ka cilësuar si të pavlerë. Departamenti Amerikan i Shtetit po kërkon që kjo situatë të vazhdojë edhe më tej, në mënyrë që procesi i dialogut të mos ketë pengesa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore