Lajme

Vuçiç: Nëse për Kurtin paska përfunduar çështja e statusit të Kosovës, atëherë ka përfunduar edhe për mua


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë një deklarimi para gazetarëve në Norvegji ku po qëndron për vizitë zyrtare, i është kundërpërgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili thotë se nuk ka diskutime për çështjen e statusit të Kosovës dhe për të është temë e mbyllur.

“Nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se për të çështja e statusit të Kosovës ka përfunduar, unë i jam mirënjohës. Sepse çështja e statusit të Kosovës edhe për mua ka përfunduar”, tha Vuçiç.

Megjithatë, përfundimet e Vuçiç, janë krejtësisht të kundërta me ato të politikanëve në Kosovë.

“Unë mbështetem në kartën e Kombeve të Bashkuara dhe rezolutën 1244. Kurti i referohet gjithçkaje që i përshtatet, në asnjë mënyrë nuk i përmbahet asaj që është nënshkruar në Bruksel”.

Më pas, duke folur për dialogun në Bruksel dhe çështje të tjera lidhur me Kosovën, Vuçiç shpreh mendimin se “vendet e QUINT-it gjithmonë do t’i mbështesin shqiptarët në Kosovë”.

Por, ai shtoi se nuk mund ta “shantazhojnë me asgjë”.

Ai e ka pranuar se edhe në takim me mbretin e Norvegjisë, një nga temat për diskutim ishte raporti me Kosovën.

“Ju e dini që Norvegjia e diagnostikon situatën më mirë dhe më saktë se kushdo në terren. Prandaj, ne folëm edhe për Kosovën dhe procesin e dialogut”, shtoi ai.

Ndryshe, mediat serbe kanë raportuar se Vuçiç këtë të hënë do në ora 22:00 do t’i drejtohet publikut drejtpërdrejt në TV Pink dhe do të flasë për të gjitha temat aktuale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore