Kosova

Vuçiç me Scholz-in e Macron-in diskutuan për Kosovën


Emanuel Macron, Aleksander Vucic dhe Olaf Scholz

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimit trilateral me Olaf Scholz dhe Emanuel Macron, ka thënë se në qendër të diskutimeve ka qenë çështja e Kosovës dhe rruga evropiane e Serbisë.

Në kuadër të samitit të parë të Komunitetit Politik Evropian, Vuçiç përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ka deklaruar se “ka përfaqësuar me përgjegjësi dhe seriozitet interesat e Serbisë” në takimin me liderët e Gjermanisë dhe Francës.

Ndryshe, me të mbërritur në Pragë, presidenti i Serbisë u përplas me Andrej Plenkoviç-in, për çështjen e importit të naftës nga Rusia.

Ai konstatoi se nuk e fajëson aspak Kroacinë për pengimin e importit të naftës ruse.

“Kroacia thjesht po bënë punën e saj, të cilën e ka bërë për dekada, që nga viti 1941”, duke aluduar kështu tek lëvizja fashiste e Kroacisë – “Ustasha”.

Kur u pyet pse fajëson Kroacinë kur është Serbia ajo që refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Vuçiç ka deklaruar se Zagrebi nuk do të udhëheqë politikën e Beogradit.

“Do të udhëhiqet nga qytetarët e Serbisë përmes përfaqësuesve të zgjedhur dhe kundër të gjithë atyre që mendojnë se mund t’ia imponojnë vullnetin Serbisë”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, kryeministri kroat theksoi se kishte parë “reagime të pashembullta dhe të stuhishme” nga Serbia.

“Unë jam padyshim “Ustash” atje (në Serbi). Serbia nuk mund të ulet në dy karrige”, ka deklaruar Plenkoviç në Pragë.

Ai nënvizoi se Serbia mund të marrë çfarëdo nafte të dojë, por jo naftën ruse.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore