Kosova

Vuçiç, Kurtit: Të uroj rrugë të mbarë për në Bruksel


Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ai do të udhëtojë për në Bruksel vetëm për të diskutuar çështje më madhore siç është marrëveshja finale me Serbinë në kuadër të dialogut, e jo për çështje teknike, siç janë targat.

Megjithatë për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Kurti mund të udhëtojë për në kryeqytetin evropian kur të dojë ai vetë, duke aluduar kështu se ai në këtë fazë nuk është pro diskutimit të marrëveshjes finale.

“Mirë. Ai mund të shkojë në Bruksel kur të dojë dhe si të dojë, ky është vullneti i tij. I uroj rrugë të mbarë”, ka thënë shkurt Vuçiç.

Vuçiç pas kësaj deklarate ka shtuar se çështja e statusit të Kosovës për të ka përfunduar në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Ndryshe sipas Kurtit, arsyeja kryesore se pse Qeveria e Kosovës ka pranuar marrëveshjen për çështjen e targave në Bruksel të mërkurën ishte situata në Veri të vendit.

Megjithatë një ujdi e tillë, sipas Kurtit, nuk ka të bëjë vetëm me situatën në Veri të vendit, por edhe me nevojën për të filluar diskutimin mbi marrëveshjen finale në kuadër të dialogut duke u bazuar në propozimin franko-gjerman.

“Ne kemi rënë dakord që të mos zbatojmë vendimin tonë për gjobitjen e drejtuesve të automjeteve me targa të paligjshme serbe. Serbia ka rënë dakord të ndalojë lëshimin e targave të trashëguara nga regjimi i Slobodan Millosheviç’it”, ka thënë Kurti në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung.

“Këtë e bëmë jo vetëm për të de-përshkallëzuar, por edhe për të krijuar një mundësi për fillimin e shpejtë të negociatave për një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo duhet të përfundojnë përpara pranverës 2023. Ky ishte qëllimi i vërtetë i kompromisit”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore