Rajoni

Vučić: Konflikti i ngrirë, rrezik për dy vendet


” Një konflikt i ngrirë do të thotë të presësh që dikush të nxjerrë i pari shpatën, nuk do të doja që bijtë e mi të shkojnë në luftë”.

Kjo ka qenë deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, në televizionin Happy, transmetuar nga Albanian Post me 12 janar.

Ai u shpreh se Kosova do të përballet me surpriza nëse do të bëjë përpjekje  për anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare, por nuk bëri me dije se cilat janë ato.

“Ata e dinë që unë nuk po gënjej. Unë nuk jam vetëm duke iu drejtuar atyre, por edhe mentorëve të tyre. Dhe unë them se ata do të kenë shumë surpriza, jo një ose dy”, tha Vučić .

Në deklaratën e tij ai përmendi që duhet jenë të ditura rreziqet që vijnë nga konflikti i ngrirë.

“Nuk duhet të na shkojë gjaku në tru, duhet të jemi realist”.

Ndër të tjera shtoi se shqiptarët nuk janë në thelb të gatshëm për një zgjidhje kompromisi. Serbia po ndërton paqen dhe duhet ta ruajë atë.

“Forca e serbëve nuk duhet të nënkuptojë arrogancën, por mençurinë dhe racionalitetin”.

Kjo është hera e dytë që presidenti i Serbisë flet për rrezikun e një konflikti të ngrirë mes dy vendeve.

 Çfarë nënkupton konflikti ngrirë?

Në të drejtën ndërkombëtare nuk ka një përkufizim të konceptit të konfliktit të ngrirë, por përmenden si të tilla disa raste në Euro-Azi si konfliktet e Nagorno-Karabakh, Transnistria apo Ossetia e Jugut.

Disa nga karakteristikat që veçohen nga studiuesit janë: veprimet ushtarake të armatosura mes një shteti dhe separatistëve, asnjë  shtet nuk e njeh shtetin e pretenduar, pretendimet për vetëvendosje shoqërohen me krijimin e një shteti të supozuar.

A i plotëson Kosova kushtet si një konflikt i ngrirë?

Së pari, veprimet ushtarake të armatosura nga separatistët për territoret mungojnë në Kosovë, pasi stabilitetin e vendit e mbikqyr një forcë ndërkombëtare si NATO.

Që nga shpallja e njëanshme e pavarësisë, në 17 shkurt 2008, institucionet e Kosovës janë autoritete sovrane dhe legjitime të Kosovës dhe kanë ndërmarrë hapa për të afirmuar shtetësinë e Kosovës. 

Kosova, nuk njihet nga qeveria serbe, por  111 shtete njohën pavarësine e saj.

Së fundmi, shteti i ri i Kosovës ka njohje ndërkombëtarisht të territorit, në bazë të parimit utti possidetis të konfirmuar nga Komisioni Badinter për shkëputjen e republikave të ish-Jugosllavisë në bazë të linjave administrative. Kosova ka një territor unik të përcaktuar qartë në Kushtetutën e saj./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore