Lajme

Vuçiç: Java e ardhshme do të jetë e vështirë për Serbinë, por dorëzimi nuk vjen në konsideratë


Aleksander Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar në llogarinë e tij në “Instagram”, njoftoi se javën e ardhshme do të zhvillojë bisedime me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për siç tha ai, zhvillimet e reja në veri të Kosovës.

Java e ardhshme “do të jetë e vështirë për Serbinë”, pohoi si zakonisht Vuçiç, ndërsa shtoi se përgjatë javës që po vjen “kemi shumë obligime ndërkombëtare” dhe “bisedime me liderë evropianë, prej Bratislavës e Kishinaut, por edhe bisedime me Macron-in dhe Scholz-in”.

Ai ndër të tjera pati një mesazh për serbët, veçanërisht “për ata që frikësohen dhe pretendojnë se ne do të dorëzohemi ndaj presionit”, se “dorëzimi kurrë as që është në konsideratë”.

Tensionet janë rikthyer në pjesën veriore të Kosovës, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetarët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore