Lajme

Vuçiç flet për “kornizën e re” të publikuar nga Albanian Post, e pranon se e ka diskutuar me Lajçakun


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka pranuar se ka diskutuar me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për “kornizën e re” për dialog të publikuar nga Albanian Post të dielën.

I pyetur “kornizën e re” Vuçiç tha se kur Lajçak ishte atje, “nuk donte ta merrte letrën, të cilën e lexoi”.

“Nuk mund të them nëse gjithçka që është publikuar është e saktë, nuk më kujtohet gjithçka është shkruar në ato katër faqe. E dija që nuk duhej ta merrja atë letër”, tha Vuçiç.

“Nuk mund të pranojmë që Kosova të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara”.

Ai thotë se do të kishte probleme edhe nëse do ta pranonin propozimin e Francës dhe Gjermanisë, por do të kishte probleme edhe nëse nuk e pranojnë.

“Nëse e pranojmë atë propozim, do të thotë se kurrë nuk do të mund ta përjashtojmë Kosovën nga OKB-ja edhe pse nuk kërkohet njohja formale. Nëse ky është një problem i vogël, nuk e di se çfarë mund të jetë më i madh”, thekson Vuçiç.

Por – shton se “nuk mendoj se është e lehtë, por nuk shoh asnjë mundësi tjetër”.

“Çdo gjë ka pasojat e saj, si ajo që humbëm në 1999, 2004 dhe 2008. Na pret një kohë shumë e ndërlikuar dhe do të duhet të marrim vendime të rëndësishme”, potencoi kreu i shtetit serb.

Vuçiç, theksoi se do të vazhdojë ta bëjë punën e tij, “shqiptarët do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre”.

“Pozicioni ynë është i vështirë”.

’Korniza e re’’ e dialogut për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, e përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, e publikuar nga Albanian Post po shihet me skepticizëm nga njohës të diplomacisë.

Çka thuhet në ‘’kornizën e re’’

Sipas kornizës të cilën e ka publikuar Albanian Post, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Ky është plani i paraqitur në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore