Lajme

Vuçiç falënderon Palestinën dhe Indonezinë që s’po e njohin Kosovën


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ministri i Jashtëm i Palestinës, Riyad al-Maliki

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Palestinës, Riyad al-Maliki, dhe atë të Indonezisë, Retno Marsudi, i ka falënderuar kryediplomatët e këtyre shteteve që nuk po e njohin Kosovën.

“Vuçiç e falënderoi Palestinën për mbështetje ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë dhe qëndrimin parimor mbi mosnjohjen e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Kosovë dhe veçanërisht përmes kundërshtimit të anëtarësimit të ashtuquajturës Kosovë në organizatat ndërkombëtare”, tha Vuçiç.

Sipas tij, “ministri Al-Maliki ka konfirmuar se një qëndrim i tillë i autoritetit palestinez mbetet i fortë”, thuhet në njoftimin e presidencës së Serbisë.

Vuçiç gjithashtu falënderoi edhe Indonezinë për “qëndrimin e saj parimor në çështjen e sovranitetit dhe integritetit territorial”, përkatësisht mos-njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Ndryshe më 20 prill, autoritetet palestineze u kanë kërkuar vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik që të ndërpresin marrëdhëniet me Kosovën pas hapjes së ambasadë në Jerusalem.

Kërkesa ishte bërë nga ministri i Punëve të Jashtme të këtij Autoriteti, Riyad al-Malki, në adresë të sekretarit të OBI-së.

Në arsyetimin e tij, Al Malki, konsideron që marrëdhëniet me Kosovën duhet të ndërpriten, pasi siç thotë ai “Kosova ka shkelur ligjin dhe rezolutat ndërkombëtare me vendimin e saj, por gjithashtu sulmon hapur popullin palestinez dhe të drejtat e tij”.

“Nëse anëtarët e OBI-së do të pranonin kërkesën palestineze, Prishtina do të përballej me një humbje të madhe të mbështetjes, sepse pavarësia e Kosovës u njoh nga 30 nga 57 vendet që janë në këtë organizatë. Vlerësohet se ata zyrtarisht nuk do të tërhiqnin vendimet e njohjes, por një numër i madh i tyre sigurisht që nuk do të mbështesnin më Kosovën në përpjekjet e saj për t’u bashkuar me organizatat ndërkombëtare”, kishte thënë al Maliki.

Ministri i Punëve të Jashtme të Palestinës, Riyad al-Malki

Ndër anëtarët e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik që e njohin Kosovën janë Shqipëria, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Kuvajti, Katari, Bahreini, Pakistani dhe Libia, ndërsa pavarësia e Kosovës nuk është njohur nga Palestina, Azerbajxhani, Indonezia, Irani, Algjeria, Tunizia e Kazakistani.

Kosova zyrtarisht vendosi marrëdhënie diplomatike me Izraelin më 1 shkurt, dhe njoftimin se do të hapej një ambasadë në Jerusalem, OBI e dënoi menjëherë më 3 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore