Shqipëria

Vritet “kumbari” i Shkodrës, Bardhok Planaj


Mbrёmjen e 4 prillit, nё qytetin e Shkodrёs, ka pasur tё shtёna me armё zjarri. Si rrjedhojё e tyre, ka mbetur i vrarё shtetasi Bardhok Planaj, që njihet me pseudonimin “kumbari”.

Ekzekutimi u realizua mbrёmjen e djeshme, nё lagjen Dobraç, dhe mёsohet se drejt 46- vjeçarit ёshtё qёlluar rreth 30 herё me kallashnikov.

Sipas burimeve tё policisё, plumbi nё zemёr dhe kokё i ka marrë jetёn Planajt.

Dyshohet se autorёt e kanё pritur “kumbarin”, teksa ai ishte duke dalё nga banesa e tij dhe e kanё ndjekur pёrreth 150 metra nё lёvizje.

Në afërsi të vendit të krimit është gjetur edhe një makinë e djegur, për të cilën dyshohet se u përket autorëve.

Brenda saj ёshtё gjetur njё armё tip kallashnikov, ndёrsa raportohet se targat e saj ishin tё huaja.

Kush është Bardhok Planaj?

Bardhok Planaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Viktima flitet tё jetё dënuar me burgim në mungesë në vitin 2014 nga Gjykata e Rrethit Shkodër për tre veprat penale tё “Pastrimit tё parave”, “Falsifikimit tё dokumenteve” dhe “Ndërtimit pa leje”.

Gjithashtu, Planaj, ishte i dyshuar nga policia si një person që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike. Flitet se ai ka qenё i pёrfshirё nё operacionin e vitit 2014, tё quajtur “laguna e Vilunit”, nё vendin Rana e Hedhun, nё tё cilёn u panё tё hidheshin nё det çanta tё zeza.

Pas kontrolleve tё shёrbimeve tё policisё kufitare dhe asaj tё Guardia di Financa, rezultoi se çantat pёrmbanin drogё tё tipit hashash, me peshё 210 kilogramё, si dhe 15 çanta tё tjera me peshё 594 kilogramё, tё cilat u gjetёn ditёn e mëpasshme.

Planaj njihet si një prej personazheve të fortë në Shkodër, i cili disa herë ka pasur probleme me drejtësinë.

Gjithashtu, 46-vjeçari ishte një personazh, i cili ka pasur lidhje të forta me drejtësinë dhe politikën, por mbante raporte edhe me individë apo grupe të tjera kriminale.

Në hetime mori pjesë edhe drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Tonin Vocaj.

Deri më tani nuk ka persona të shoqëruar, pasi policia po kryen hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ndёrkohё pёr krimin ka folur dhe kryesuesi i listës së Partisë Demokratike në Shkodër, Helidon Bushati. Nё njё postim, nё adresёn e tij nё Facebook, ai u shpreh se krimi i organizuar po ngjall frikë e terror.

“Qytetarët e Shkodrës po jetojnë periudhën më të errët të ketyrë 30 viteve. Boll është boll! Paktit që kjo qeveri ka me krimin i japim fund. Kjo nuk është Shkodra e Shumicës!”, u shpreh ndёr tё tjera Bushati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore