Lajme

Vritet gazetarja e Al-Jazeera-s gjatë përleshjeve në Jenin


Korrespondentja e Al-Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, u vra të mërkurën në mëngjes pasi mori një plumb në kokë.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Një reporter tjetër sakaq ishte në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme, pasi u qëllua në shpinë gjatë përleshjeve në Jenin.

Përleshjet filluan pasi forcat e IDF-së (Forcat Izraelite të Mbrojtjes), Shin Bet dhe Policisë Kufitare filluan të operojnë në kampin e refugjatëve Jenin, pranë qytetit të Burkin-it.

Forcat izraelite u gjendën nën zjarr masiv dhe u sulmuan me granata të improvizuara.

IDF-ja, sipas deklaratës së autoriteteve, u kundërpërgjigj me zjarr të vërtetë dhe një numër palestinezësh mbetën të plagosur.

Nuk është ende e qartë se cila palë qëlloi plumbin, i cili solli vdekjen e saj dhe mund të jetë shkaktuar nga plumbat e qëlluara nga palestinezë të armatosur, tha IDF-ja.

Korrespondenti i “The Economist”, Gregg Carlstrom sqaroi se gazetarja veterane e Al Jazeera-s, u vra nga ushtarët izraelitë, ndërsa po bënte detyrën e saj dhe po mbulonte një bastisje në Jenin.

Gazetari Ali Asmoadi i tha Haaretz se ai dhe Shireen Abu Akleh, kishin veshur jelekët e tyre të shtypit kur forcat ushtarake qëlluan mbi ta.

Abu Akleh punoi për disa agjenci si UNRWA, Radio Voice of Palestine, Amman Satellite Channel, Fondacioni Moftah dhe Radio Monte Carlo, duke kaluar përfundimisht te Al Jazeera në vitin 1997.

Ajo ishte gjerësisht e njohur dhe e respektuar në botën arabe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore