Lajme

Vrasja shokuese që mund të ndryshojë Japoninë përgjithmonë


Ish-kryeministri japonez, Shinzo Abe

Lajmi u bë i ditur ende pa gdhirë në Evropë, duke parë edhe ndryshimin kohor mes Japonisë dhe kontinentit të vjetër, apo më tej akoma, Amerikës.

Vetëm një pyetje, i lindi në mend kujtdo: Si ka mundësi në Japoni?

Nuk ishte thjesht një vrasje. Viktima, ishte ish-kryeministri i vendit ishullor, Shinzo Abe.

Me pabesi, 67-vjeçari u sulmua nga pas shpinës gjatë një fushate elektorale nga një person, me një armë artizanale, për arsyen e vetme se ai kishte mbetur i zhgënjyer nga Abe.

Abe me të vërtetë nuk ishte më kryeministër i Japonisë, por ishte një figurë shumë e lartë në jetën publike. Ndoshta, edhe politikani më i njohur i tre dekadave të fundit në Japoni.

Një vrasje në një kalibër të tillë kaq të lartë politik në fakt, edhe në vendet perëndimore, zor se gjendet kollaj. Sigurisht, në SHBA ka qenë vrasja e kahershme e Abraham Lincoln, apo pasuese ajo e John Kennedy, të cilat bënë bujë botërore.

Në Evropë, ndoshta vrasja e Olof Palme, kryeministrit suedez në vitin 1986, mund të krahasohet me bujën e sotme të Abes.

Por, duhet marrë parasysh se kur themi që në Japoni nuk ndodhin as krime shumë më të vogla, e lëre pastaj vrasje, nuk është ekzagjerim.

Sigurisht që në atë vend ka mafie të njohur e me famë botërore, Yakuza, por ata operojnë më shumë brenda vetes, si një biznes i mirëfilltë, ku personat e jashtëm dhe njerëzit e thjeshtë nuk ngatërrohen.

Vetë pjesëtarët e Yakuza-s, i shmangen tërësisht përdorimit të armëve, sepse dënimet janë aq të ashpra nëse kapen me to.

Çfarë të thuash?!

Mesatarisht, në një vit, në Japoni ka rreth 10 vrasje me armë, në një vend ku vetëm kryeqyteti, Tokyo, numëron 36 milionë banorë.

Kjo nuk përjashton faktin se ka raste, si ai i vitit 2017, kur kishte vetëm tre vrasje me armë gjatë gjithë vitit. E paimagjinueshme!

Andaj, edhe një pjesë shumë e mirë e raportimeve mbi vdekjen e Abes, nuk shkuan drejt figurës së tij, sa drejt identikitit të vrasësit, një ish-anëtar i forcave të mbrojtjes.

Vetë arma që ai përdori, ngjalli kureshtje të madhe. Ajo duket tërësisht artizanale, si e bërë në shtëpi. Dy shufra hekuri të bashkuara mee ngjitës letër dhe një shkrehës arme i improvizuar. Tipikisht, si diçka që një person e sheh në internet dhe e bën në shtëpi.

Përtej kësaj, nuk është 100% e sigurt që vrasja ishte e lidhur me çështjet e politikës.

Në fakt, ajo çfarë po vihet re vitet e fundit në Japoni, është edhe një trend i personave (tipikisht meshkuj), të cilët jetojnë vetëm dhe e kanë një inat drejt kujtdo.

Në vitin 2019, një person shumë i ngjashëm në identikit me ekzekutorin e Abes, i vuri zjarrin një godine ku ishte e vendosur një studio e njohur e animacioneve në zonën e Kyotos. 36 persona mbetën të vdekur në atë ngjarje.

Gjatë këtij rasti, personi përgjegjës i tha Policisë se e kishte marrë inat studion dhe ishte në mëri me ta, pasi i kishin marrë punën.

Në një rast tjetër në vitin 2008, një djalë drejtoi një kamion brenda një qendre të madhe tregtare e më pas doli nga mjeti me një thikë në dorë e filloi të sulmonte kalimtarët. Shtatë persona mbetën të vdekur aty.

Përpara ngjarjes, ai kishte postuar një mesazh në një rrjet social online, ku kishte shkruar pikërisht se do të vriste njerëz në zonën e Akihabaras, ku edhe e kreu krimin.

“Nuk kam asnjë shok, më injorojnë sepse jam i shëmtuar. Jam më pak se një plehrë”, pati shkruar ai.

Thënë këto, a është rasti i vrasjes së Abes thuajse identik me këto dy të tjerët?

Jo plotësisht, por pjesërisht, mundet të jetë më se i lidhur.

E sigurt është se e gjithë e ardhmja e Japonisë, mund të ndryshojë prej kësaj vrasjeje.

Duke parë se sa i sigurt është ky vend, edhe truprojat nëpër takime elektorale, janë shumë të relaksuar dhe politikanët, bëjnë fushatë në çdo cep rruge, duke takuar këdo, pa pasur shumë shërbim sigurie përreth.

Kjo është pa diskutim edhe një arsye më shumë se pse vrasësi i Abes, ishte në gjendje të vepronte në kaq liri.

A do të jetë njësoj nesër? Me shumë mundësi, edhe Japonia do të ndryshojë…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore