Shqipëria

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, Prokuroria kërkon “arrest shtëpie” për 6 efektivët


Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar masën “arrest në shtëpi” për gjashtë efektivët e Policisë, ndaj të cilëve janë regjistruar dy akuza për ngjarjen e 21 prillit të vitit 2021, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Bëhet fjalë për efektivët: Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja , Donald Dedja dhe Besmir Kadiu.

Gjykata e Apelit Durrës i riktheu sërish në detyrë gjatë muajit nëntor të vitit 2022.

Ata ishin pezulluar me vendim gjykate pas kërkesës së Prokurorisë së Elbasanit.

Efektivët akuzohen nga prokuroria për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe atë të “Deklarimit të rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Çfarë ndodhi 1 vit më parë?

Vrasja e Pjerin Xhuvanit e gjeti Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë të tronditur, pasi pati edhe një sfond elektoral.

Gjithçka ndodhi vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani.

Arbër Paplekaj, ish-punonjës i forcave RENEA dhe shoqërues i kandidatit demokrat për deputet në Elbasan, Gazment Bardhi, qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan.

Katër të tjerë u plagosën në vendngjarje, ndër të cilët një efektive e forcave “Shqiponja”.

Gjithë Shqipëria i ktheu sytë nga kjo ngjarje e rëndë, duke zhvendosur edhe vëmendjen e fushatës zgjedhore.

Arbër Paplekaj përpara vrasjes

Autori u vu nën pranga pak pas ngjarjes, duke u shoqëruar dhe në komisariat. Deklarata e tij pati qenë se “sulmi ka ndodhur për vetëmbrojtje”.

Mbi 20 persona u shoqëruan drejt komisariatit asokohe. Ndër ta, dy kandidatë demokratë: Gazment Bardhi dhe Luçiano Boçi.

Ndërsa në burg, mbahet ende Paplekaj, në pritje të vendimit përfundimtar nga Gjykata.

Nga ana tjetër, Xhuvani ishte akuzuar nga Partia Demokratike se ishte një ndër organizatorët e përplasjes fizike mes simpatizantëve të PS-së dhe PD-së Ditën e Verës të vitit 2021 në Elbasan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore