Shqipëria

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, Gjykata lë në fuqi pezullimin nga detyra për 6 efektivët e “Shqiponjave”


Gjykata e  Rrethit Gjyqësor të Elbasanit të shtunën e 2 korrikut ka vendosur të lërë në fuqi pezullimin nga detyra për gjashtë efektivët e “Shqiponjave”, të akuzuar për shpërdorim detyre gjatë ngjarjes së 21 prillit 2021, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Ata u akuzuan nga prokuroria për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe atë të “Deklarimit të rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Më  27 qershor policia ekzekutoi urdhrin e Prokurorisë së Elbasanit.

Konkretisht shtetasit A.N., 55 vjeç, me detyrë zëvendësdrejtor për rendin e sigurinë publike në D.V.P. Berat, iu dha masa “Arrest në shtëpi”. Për 55-vjeçarin dyshohet se ka kryer veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” dhe atë të “Deklarimi i rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

E njëjta masë, “Arrest në shtëpi”, iu dha edhe zyrtarit të Policisë, shtetasit N.P., 57 vjeç, me detyrë ish-zëvendësdrejtor për rendin dhe sigurinë publike në D.V.P. Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës” dhe atë të “Deklarimi i rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Ndërsa, masa e sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre shtetërore, apo shërbimi publik” iu dha për punonjësve të policisë D. D., 33 vjeç, P.B., 33 vjeç, E.B., 26 vjeç, E. M., 38 vjeç, D.D., 30 vjeç dhe B.K., 37 vjeç.

Ish-punonjës i forcave RENEA, Arbër Paplekaj
Çfarë ndodhi 1 vit më parë?

Vrasja e Pjerin Xhuvanit e gjeti Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë të tronditur, pasi pati edhe një sfond elektoral.

Gjithçka ndodhi vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani.

Arbër Paplekaj, ish-punonjës i forcave RENEA dhe shoqërues i kandidatit demokrat për deputet në Elbasan, Gazment Bardhi, qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan.

Katër të tjerë u plagosën në vendngjarje, ndër të cilët një efektive e forcave “Shqiponja”.

Gjithë Shqipëria i ktheu sytë nga kjo ngjarje e rëndë, duke zhvendosur edhe vëmendjen e fushatës zgjedhore.

Arbër Paplekaj përpara vrasjes

Autori u vu nën pranga pak pas ngjarjes, duke u shoqëruar dhe në komisariat. Deklarata e tij pati qenë se “sulmi ka ndodhur për vetëmbrojtje”.

Mbi 20 persona u shoqëruan drejt komisariatit asokohe. Ndër ta, dy kandidatë demokratë: Gazment Bardhi dhe Luçiano Boçi.

Ndërsa në burg, mbahet ende Paplekaj, në pritje të vendimit përfundimtar nga Gjykata.

Nga ana tjetër, Xhuvani ishte akuzuar nga Partia Demokratike se ishte një ndër organizatorët e përplasjes fizike mes simpatizantëve të PS-së dhe PD-së Ditën e Verës të vitit 2021 në Elbasan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore