Lajme

Vrasja e gruas në Llaushë, Kryeprokurori Lumezi kërkon hetime për veprimet e prokurores


Kryeprokurori i Shtetit i Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezi

Kryeprokurori i Shtetit i Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, si autoritet kompetent, që të shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores lidhur me rastin e viktimës L.Q. nga fshati Llaushë e Skenderajt, dhe nga të gjeturat eventuale t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Gjithashtu, Kryeprokurori Lumezi ka kërkuar nga Menaxheri i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave që të shqyrtojë të gjitha veprimet e mbrojtësit të viktimave lidhur me rastin e L.Q. nga Llausha dhe nga të gjeturat eventuale të ndërmerren edhe veprimet e nevojshme, thuhet në komunikatë të kryeprokurorisë.

Këtë të premte në mesditë është protestuar në qytetin e Skenderajt kundër dhunës dhe vrasjes së grave, pas vrasjes së Lirije Qerimaj nga bashkëshorti i saj në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Protesta paqësore është organizuar nga OJQ ‘Gratë Intelektuale të Drenicës’. Protesta ka filluar në ora 12:00 nga sheshi “Adem Jashari”, për të vazhduar te Gjykata në Skenderaj, ndërsa marshi ka përfunduar para stacionit policor.

Lirije Qerimaj ishte vrarë me pesë janar me armë zjarri ndërsa i dyshuari ishte arrestuar menjëherë nga Policia e Kosovës, ndërsa ishte konfiskuar edhe arma me të cilën dyshohet se është përdorur në rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore