Shqipëria

Vrasja e çiftit shqiptar: Plani i thurur nga Elona?


Hetuesit italianë janë të bindur se planin e vrasjes së Shpëtim dhe Teuta Pashos e ka thurur Elona, ish e fejuara e djalit të tyre, Taulantit.

Nga hetimet që ka zhvilluar Reparti i Investigimit Shkencor italian (RIS), rezulton se në valixhet e gjetura ka pasur shenja nga apartamenti në rrugën Fontana. Në këtë apartament, jetonin në 2015-ën Elona dhe Taluanti.

Provat e ADN-së do të zbulojnë nëse ajo ka pasur vërtetë lidhje me vrasjen e çiftit shqiptar. Testet e para pritet të kryhen ditët në vijim.

Elona Kalesha është arrestuar nga policia italiane mëngjesin e 22 dhjetorit. Deri në këto çaste ajo ka refuzuar të flasë për organet hetimore.

Dyshimet e hetuesve mbi arsyet pse mund ta ketë thurur Elona planin, bien mbi 40 mijë Euro-t që çifti po ruante për djalin e tyre, Taulantin. Është zbuluar edhe marrëdhënia që e reja ka pasur me vjehrrit e saj. Nga dëshmitë e mbledhura, rezulton se midis saj dhe Teutës ka pasur mospëlqim të madh.

Ndërkohë, disa dëshmi të komshinjve të Elonës kanë pohuar se e kanë parë atë në 2015-ën disa herë duke dalë nga shtëpia me valixhe në duar.

Besohet gjithashtu se krimi është kryer pikërisht në 1 nëntor 2015, ditën përpara daljes së Taulantit nga burgu. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë natës, kur çifti ka qenë në gjumë.

Nuk dihet ende nëse valixhet janë hedhur menjëherë pas vrasjes apo janë ruajtur diku tjetër më parë.

Pjesë e hetimit është edhe një apartament tjetër, ku Elona jetonte së fundmi./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore