Bota

Vrasja e çiftit Pasho: Në pyetje Taulanti dhe vëllai i Elonës


Është marrë në pyetje nga policia e Firenze-s, Taulant Pasho, djali i çiftit Shpëtim dhe Teuta Pasho, trupat e të cilëve u gjetën të copëtuar dhe të futur në katër valixhe. Pjesë e hetimeve është bërë edhe ish kunati i Taulantit, Denis Kalesha. Motra e këtij të fundit, Elona, ish e fejuara e Taulantit, është e akuzuara kryesore për vrasjen e çiftit vlonjat.

Arsyeja pse ata janë marrë në pyetje, është dyshimi mbi ndihmën që mund t’i kenë dhënë Elonës. Ata të dy, ishin personat më të afërt me 36 vjeçaren, në kohën kur është kryer vrasja.

Fakti se kanë qenë katër valixhe shumë të rënda për t’u zhvendosur, e bën të pamundur kryerjen e aktit vetëm nga Elona. Vetëm për transportin, ajo mendohet se ka pasur minimalisht dy bashkëpunëtorë.

Arsyeja e dytë e marrjes së ish kunetërve në pyetje, është testi i ADN-së. Në ditët në vijim do të fillojnë edhe testimet e para për gjurmët që janë gjetur në valixhe. Gjurmë janë gjetur gjithashtu edhe në dy apartamente në pronësi të Elonës.

Nëse ADN-ja nxjerr gjurmët e Elonës dhe bashkëpunëtorëve të saj, priten arrestime të tjera. Elona është momentalisht nën arrest, në burgun e Sollicciano-s. Pikërisht pranë këtij burgu, u gjetën edhe valixhet me trupat brenda.

Çështja e çiftit Pasho shkaktoi një tronditje të madhe në Firenze. Katër valixhe me brenda trupat e copëtuar të Pasho-ve, u gjendën në fushë në rrugën kombëtare Firenze-Pisa-Livorno. Ngjarja shtangu opinionin publik për ditë me radhë.

Pistat fillestare, shtynë policinë të mendonte se ishte një krim mafioz. Nëpërmjet pistave të reja gjithsesi, gjykata nxorri akuzën e parë, për Elona Kaleshën. Dyshohet se arsyeja e vrasjes, kanë qenë 40 mijë euro që çifti vlonjat po transportonte për djalin e tyre, Taulantin./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore