Shqipëria

Jepet masa e sigurisë për vrasësin e 8-vjeçarit në Fier


Në Gjykatën e Fierit është dhënë masa e sigurisë për Klodian Çalamanin, i cili vrau 8-vjeçarin të martën e 16 nëntorit.

Ai është dënuar me masën e sigurisë “arrest me burg”. Avokati i caktuar për të mbrojtur Çalamanin është tërhequr dhe nuk pranoi të mbrojë 38-vjeçarin.

Ky i fundit nuk ishte i pranishëm në seancë pas trazirave.

Përpara seancës ka pasur tension dhe përplasje, ku familjarët e viktimës kanë hyrë më forcë në Gjykatë, duke thyer derën dhe marrë përpara policinë.

Ata kanë kërkuar drejtësi, duke ngritur pyetjen “çfarë drejtësie është kjo?”.

Familjarët i kanë bërë me dije Policisë se duan të jenë të pranishëm gjatë seancës gjyqësore, që të përballen me vrasësin e miturit, por kjo gjë nuk u mundësua.

Ata kanë kërkuar rikthimin e dënimit me vdekje, por kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga konferenca e të mërkurës njoftoi se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Sipas tij, Shqipëria ka një nga legjislacionet më të ashpra.

Familjarët, bashkë me qytetarë, kanë nisur një peticion për mbledhjen e firmave për rikthimin e dënimit me vdekje. Nismës i janë bashkuar edhe gazetarët e pranishëm në ambientet e Gjykatës.

Pamje nga Gjykata

Çfarë ndodhi në Fier?

Ngjarja tronditi qytetin e Fierit dhe jo vetëm. Sipas raportimeve, ashtu si çdo ditë, 8-vjeçari ishte nisur për në shkollë.

I mituri ndiqte klasën e dytë. Ai nuk kishte shkuar në shkollë, ndërsa ishte parë në lagje teksa shëtiste me biçikletë.

Ka qenë nëna e djalit që dha alarmin në lagje se, i mituri nuk kishte shkuar në shkollë dhe as në shtëpi.

Pasi kontrolluan në lagje, ajo bashkë me bashkëshortin bënë denoncimin në polici.

Pas vëzhgimit të disa kamerave të sigurisë në lagje, u vu re se 8-vjeçari kishte hyrë në banesën e Çalamanit, me biçikletën e këtij të fundit.

Më pas, policia zbarkoi në banesën e 38-vjeçarit. Ky i fundit, pasi u mor në pyetje në Polici, pranoi edhe autorësinë e krimit makabër.

Vrasësi ka qenë i arrestuar për pengmarrjen e një vajze në vitin 2012, por nuk dihet sesi ka mundur të përfitojë nga drejtësia.

Ai deklaroi se e kishte qëlluar 8-vjeçarin me lopatë, pasi e kishte sharë. Më pas, autori i krimit e kishte groposur fëmijën në oborr.

Klodian Çalamani, vrasësi i 8-vjeçarit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore