Vrasja e 42-vjeçarit në Pogradec, Rrumbullaku: Aludime skandaloze, hapa ligjorë për zbardhjen e qëllimit të dezinformimit
Brixhilda Xhuraj
14.08.2024 11:54Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një konferencë për mediat ka deklaruar se vrasja e 42-vjeçarit, Egli Proga nga Pogradeci nuk është tentuar të fshihet.
Kjo pas akuzave të bëra nga ana e mediave dhe e familjes së viktimës.
“Ka vijuar dezinformimi i publikut lidhur me ngjarjen në Pogradec ku si pasojë e konflikti humbi jetën një 42-vjeçar”.
Për Rrumbullakun, aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec “është i pabazë, i bazuar në asnjë dyshim të arsyeshëm dhe si i tillë është skandaloz”.
“Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë asnjë punonjësit policie s’ka tentuar të fshehë ngjarjen. Ajo është vlerësuar maksimalisht. Nga policia është shkuar menjëherë në vendngjarje, është bërë njoftimi i spitalit, është ngritur grupi hetimor, janë sekuestruar kamerat dhe janë shoqëruar personat e pranishëm.
Sipas tij, baltosja në këtë rast është jo thjeshtë e pabazuar por është e dënuar moralisht dhe ligjshmërisht.
“Dua tu bëj me dije se do të ndërmerren hapa ligjore për të bërë deri në fund transparencë mbi shkaqet e këtij dezinformimi. Ngjarjet janë të qarta si drita e diellit. Ne e kemi referuar si vrasje me dashje”, tha Rrumbullaku.
Rrumbullaku theksoi se është shkuar në vend ngjarje, janë sekuestruar kamerat e ambienteve përreth, janë shoqëruar disa persona, janë kryer veprimet e hetimeve.
Sipas tij, si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga grupi hetimor, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes.
“Është identifikuar autori dhe arrestuar tre të tjerë për moskallëzim krimi. Drejtoria e Policisë Korçë ka dhënë njoftimin e parë zyrtarë, që për arsye të ndryshme u deformua dhe u mohua”.
Drejtori i Policisë tha se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Korçës.
“Nëse Prokuroria ka kërkuar një masë tjetër, nga ajo për të cilën Policia ka kërkuar arrestimin e shtetasve, kjo është një çështje për të cilën as nuk na takon dhe as nuk kemi tagrin ta komentojmë”.
Por, tha Rrumbullaku, të pretendohet se Policia e Shtetit tentoi të fshehë ngjarjen kur ia kemi dorëzuar autorin e krimit drejtësisë bë kohë rekord dhe me motivin vrasjen me dashje është e patolerueshme dhe e pajustifikueshme.