Lajme

Vrasësi siberian


Të gjithë e quanin atë maqedonas, sepse, me sa duket, ai ishte në gjendje të qëllonte me dy pistoleta në të njëjtën kohë. Stil, në fakt, që quhet maqedonas.

Alexander Viktorovič Solonik lindi në 1960, në qytetin siberian Kurgan, nga një familje e pasur. Ai ishte trajnuar ushtarakisht në një njësi speciale të ushtrisë Sovjetike në Gjermaninë Lindore. Gjithashtu, ishte një atlet i shkëlqyeshëm dhe praktikonte qitje në shënjestër, vrapim, por mbi të gjitha ishte mundës, disiplinë në të cilën shkëlqeu.

Mes viteve ‘87 dhe ‘91, ai s’ka bërë gjë tjetër veç ka hyrë dhe dalë nga burgjet siberiane. Gjatë karrierës, ka ushtruar profesione nga më të ndryshmet. Ai regjistrohet në një akademi policie, më pas bëhet një sipërmarrës, e më pas një gangster.

Do të martohet dy herë dhe ka dy fëmijë. Gjithashtu bëhet një ekspert, ose më mirë të themi një “maniak armësh”: për orë të tëra, ai mund të të flasë për karakteristikat e modeleve të ndryshme të armëve.

Kur udhëton për aktivitetet e tij kriminale, mban valixhe me mitraloza, snajperë dhe pistoleta. Në apartamentet e tij, policia do të gjente një arsenal armësh të llojeve të ndryshme.

Në 1991, Solonik u zhvendos në Moskë. Aty filloi një seri vrasjesh, ku viktimat ishin anëtarë të shquar të bandave rivale ose kriminelë famëkeq.

Në dimrin e vitit 1992, ai ekzekuton Viktor Nikiforov-in, i njohur si “Kalina”, dhe gjashtë muaj më vonë Valerj Dlugač-in, me nofkën “Globus”.

Policia fillimisht nuk arriti të identifikonte autorin e këtyre krimeve, por ama e kishte kuptuar qartë që vrasësi ishte një snajper.

Në janar 1994, Bobon, aka Vladislav Vinner, një anëtar i një bande tjetër kriminale, do të vritej.

Në pranverën e vitit 1994, Solonik shkoi të fliste me një nga udhëheqësit më me ndikim të bandave kriminale të qytetit rus Tjumen, Andrei Rura, por që të gjithë e thërrisnin Mammoth. Solonik përpiqet ta detyrojë atë të paguajë borxhet që kishte me bankat ruse, por bosi refuzoi. Disa ditë më vonë, ai dhe disa nga anëtarët e bandës së tij gjenden të pajetë.

Alexander Solonik është një qitës i aftë, çka e ka treguar në shumë raste. Gjithashtu në tregun Petrovsky në Moskë, në dhjetor të 1994-ës. Ndërsa ishte me disa miq të tij, ata ndalen nga policët, të cilët i çojnë në kazermë. Sapo mbërrijnë, Solonik nxjerr armën nga xhaketa mushama dhe qëllon katër policë, del nga stacioni i policisë dhe qëllon dy roje të tjera.

Ndërsa ishte duke u arratisur me një shok skuadre, qëllon tri të shtëna drejt një agjenti policie, që fshihej pas një blloku betoni, dhe të tre plumbat bien pikërisht në të njëjtin vend. Në ndjekje, gjithsesi, një e shtënë nga agjentët e godet atë në veshkë, duke e plagosur rëndë dhe kështu Solonik kapet.

Pas kthimit në burg, rrëfen për të gjitha vrasjet e tij të porositura, duke mos zbuluar kurrë emrat e klientëve. I dërgonte policët në vendet e krimit, duke rindërtuar me saktësi skenat dhe “modus operandi”-n (mënyra e veprimit).

Krimet e konstatuara janë rreth 30. Do të qëndronte në burg për tetë muaj. Kohë gjatë të cilës do të vazhdonte stërvitjen dhe do të studionte gjuhë dhe letërsi.

Më 5 korrik 1995, ai ishte i burgosuri i parë që arriti të shpëtonte nga Qendra e Paraburgimit 1. Ekzistojnë disa hipoteza për mënyrën sesi u arratis: duke zbritur nga muret me një litar, ose duke u dhënë ryshfet rojeve. Por, asnjë prej tyre nuk u konfirmua kurrë zyrtarisht…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore