Zgjedhjet në Kosovë

Votuesi në Kosovë është emancipuar, nuk dehet më nga pushteti


Ilustrim

Zgjedhjet lokale po konsiderohen se kanë avancuar realitetin politik në mënyrë shumë dimensionale.

Ligjëruesi i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Dorajet Imeri, ka vlerësuar se partitë politike në zgjedhjet e fundit lokale kanë përparuar në ribrendimin e partive, ristrukturimin e tyre, emancipimin, komunikimin politik dhe në plan-programe.

“Këto zgjedhje mund t’i shohim në disa rrafshe, e para se në Kosovë qytetari e ka të qartë sensin e votimit, ata të ndëshkojnë fillimisht për qeverisjen 20 vjeçare, por nuk dehen me pushtetin e ri, i cili nuk ka arritur të ofrojë alternativat më të mira në komuna, për shkak të koncentrimit të madh të pushtetit në qendër”, ka thënë Imeri për Albanian Post.

Sipas tij, kjo dëshmon se partitë nëse reformohen shpejtë mund të rikthehen edhe si alternativa politike, duke iu referuar rastit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Tutje ai ka potencuar se kjo është shumë shpresëdhënëse, pasi qytetarët nuk votojnë ‘blanko’.

“Nuk votojnë në mirëbesim. Kjo paraqet edhe atë që njihet si emancipimi politik revers, pra në vend që partitë politike të krijojnë ose formësojnë qëndrime politike, janë qytetarët ata që me zgjedhje emancipojnë partitë”.

Ndërsa, balotazhin në Podujevë ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes, Imeri po e konsideron si rikthim të partisë më të vjetër në Kosovë.

“Në Podujevë, më shumë ka fituar LDK-ja se sa ka humbur VV-ja, pasi përmes balotazhit jepet mesazhi i kthimit të madh politik, ristrukturimit të partisë dhe në fund tregon se si do që të jetë, Podujeva ka elemente të bastionit të LDK-së së ripërtërirë”.

Ndërkaq socilogu, Shkodran Ramadani, thotë se kulmi i pakënaqësisë së qytetarëve ndaj partive ishte 14 shkurti, e që sipas tij, tash në zgjedhjet lokale nuk është ky momentum dhe rezultati ndryshon.

“Rezultatet nuk kanë qenë edhe aq të befasishme.  Rezultati i 14 shkurtit ishte kulminacion i një pakënaqësie të madhe me partitë tjera dhe shpresë në Vetëvendosjen. Në këto zgjedhje nuk është ky momentum. Deri diku, VV-në e kanë pa se qysh qeverisë, sidomos me pandeminë. Nuk ka më aq shumë shpresë në VV dhe nuk ka më aq pakënaqësi me partitë tjera. Kësaj radhe nuk pati diasporë”.

Sipas Ramadanit, nuk mundet asnjë parti politike më të llogarisë në bastione, sepse ato po bien, si rasti i Podujevës, që Bulliqi me 11 muaj mandat është i dyti.

“Por, në Podujevë Bulliqi nuk pati më pak vota veç për shkak të keqqeverisjes, por edhe për shkak që LDK ka zgjedhur një kandidat të ri që nuk ka lidhje me Agim Veliun”.

Ndërkaq, në zgjedhjet lokale të mbajtura gjatë ditës së diel të 17 tetorit, nga numri i përgjithshëm i 38 komunave të Kosovës, 17 komuna kanë shënuar fitore, ndërsa 21 komuna shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore