Lajme

Votohet Projektligji për Automjete në Komisioni për Buxhet


Ilustrim i fotogafisë

Në komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere është miratuar me shumicë të votave Projektligji i ndryshuar për Automjete.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, ka thënë se janë marrë për bazë rekomandimet e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rual, Mjedis, Planifikim Hapësinorë dhe Infrastrukturë dhe si rezultat i saj ka propozuar në mbledhje të komisionit që të futet si pikë e rendit të ditës çështja e projektligjit për automjete.

“Projektligji për automjete nuk përmban implikime buxhetore shtesë. Projektligji i ndryshuar sipas propozimit të komisionit funksional për Bujqësi nuk përmban implikime shtesë buxhetore dhe i njëjti t’i kthehet Komisionit”, ka thënë Muja.

Kurse deputeti opozitar në këtë komision, Avdullah Hoti, ka reaguar duke thënë se shtimi i pikave të rendit të ditës në komision është i papërshtatshme pasi që nuk ka ndonjë njoftim paraprak dhe si praktikë nuk duhet të ndodh më.

“Po krijohet një praktikë e papërshtatshme, ky Ligj është i natyrës më ndryshe dhe unë si përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk e kam shqyrtuar këtë ligj duke e ditë që nuk është në rend dite dhe kjo praktikë nuk duhet të përsëritet”.

Kurse deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, gjatë takimit të komisionit tha se Qeveria e ka pas maskë çështjen e homologimit.

Ai ka kërkuar që Ligji të ndryshohet krejtësisht.

“E keni pasur fasadë pjesën e homologimit, se të gjithë ata që blejnë vetura të reja  i mbështetni, ndërsa për ata që i kanë veturat e vjetra nuk po gjejnë asnjë mbështetje dhe kur të ndryshohet Ligji është mirë që të ndryshohet krejt”, ka thënë Lushtaku.

Në mungesë të drejtorit është shtyer raportimi i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për vitin 2020.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se është bërë praktikë mungesa e të ftuarve.

“Është bërë praktikë e të gjithë atyre që i ftojmë me injoro parlamentin e Kosovës”, ka thënë Lekaj.

Deri më tani qytetarët e Kosovës kanë paguar rreth 26 milionë euro për 10 vitet e fund për homologimin e veturave.

Çdo import i veturave që është bërë nga një vend tjetër është dashur të paguhet 125 euro për homologim.

Ky proces është vlerësuar si i pa nevojshëm edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore