Lajme

Votohet për herë të pestë në Tërnoc


Shaip Kamberi.

Në fshatin Tërnovc i Madh të Bujanocit, të enjten e 30 qershorit po votohet për herë të pestë.

Votat e banorëve të këtij fshati do të jenë përcaktuese nëse Shaip Kamberi do të jetë sërish deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin serb apo nëse mandati do t’i takojë Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) të të Ivica Daçiç.

Kamberi, të mërkurën u shpreh se është i lodhur nga përsëritjet e vazhdueshme.

“Jemi në luftë, jo thjesht për të zgjedhur një deputet, por për drejtësi, barazi e liri. Nuk po kërkojmë asgjë më tepër veç trajtimit të barabartë si qytetarë, trajtim të dinjitetshëm dhe të drejta jetike. Jam plotësisht i vetëdijshëm se kjo betejë për përfaqësim ka shkaktuar lodhje e frustrime të shumta të secili prej nesh, u bë e mërzitshme dhe e bezdisshme edhe për mua, por, alternativa e kësaj është dorëzimi”.

Kamberi, tutje e sqaroi se e gjithë kjo luftë ka të bëjë me fatin kolektiv.

“Dorëzimi ndaj atyre që nuk na duan të mirën. Kjo nuk është luftë për ta rehatuar një person, ashtu siç po tentojnë ta paraqesin disa. Përfaqësimi nuk ka të bëjë me këtë, sepse fati i një personi është absolutisht i parëndësishëm në raport me fatin tonë kolektiv”.

Të drejtë vote në shkollën fillore “Muharrem Kadriu” në këtë fshat kanë një mijë e 89 votues.

Ilustrim.

Çka ndodhi?

Votimi në Tërnoc të Madh u shty për të enjten e 30 qershorit për shkak të një alarmi për bombë, por Kamberi kishte thënë se qendra e votimit nuk ishte hapur për shkak të një konflikti midis anëtarëve të këshillit zgjedhor.

“Interesi ishte që Partia Socialiste e Serbisë të ketë kontroll absolut mbi qendrën e votimit, dhe anëtarët tanë të këshillit të votimit të mbeten vetëm vëzhgues, dhe raporti për bombën erdhi vetëm pas orës 10, dhe kështu, në njëfarë mënyre, në mënyrë elegante e ndërpreu procedurën”, ka shtuar ai.

Në zgjedhjet e ripërsëritura më 27 maj në vendvotimin nr. 6 në shkollën fillore “Muharrem Kadri” në Tërnoc të Madh, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës fitoi 598 vota, 12 më pak se numri i nevojshëm për të fituar një mandat parlamentar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore