Shqipëria

Von der Leyen: Jemi gati të nisim procesin me Tiranën dhe Shkupin


Një lajm i mirë vjen nga komuniteti evropian, lidhur me nisjen zyrtare të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Pas një telefonate me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se organi që ajo drejton, është gati ta nisë procesin me Tiranën dhe Shkupin.

“Lajm i mirëpritur ai që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, me mbështetjen e Francës, janë pranë një marrëveshjeje që merr parasysh interesat dhe shqetësimet e të gjithëve”, shkruan kryekomisionerja në median e saj sociale Twitter.

Mbi këtë premisë, ajo shpjegon më tej se Komisioni Evropian është gati të nisë procesin për dy vendet. Ky do të ishte edhe hapi i radhës i tyre në rrugëtimin evropian.

Samiti i NATO-s në Madrid në fakt ishte me peshë të madhe në këtë arritje të diplomacisë evropiane, pasi mes takimeve e bisedave të shumta, pjesë integrale e diskutimeve ishte pikërisht edhe integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, po ashtu e bëri me dije se zhvilloi takime të shumta në kuadër të këtij procesi.

Mirëpo, rolin kryesor në gjithë skemën e deritanishme, ai ia atribuoi presidentit francez, Emmanuel Macron dhe propozimit të tij për dialog mes Sofjes dhe Shkupit.

Një propozim ky, i cili pritet të çojë në marrëveshjen përfundimtare mes dy vendeve ballkanike, duke hapur rrugën e integrimit, edhe për Shqipërinë, e cila ka qenë e bllokuar prej dy vjetësh në këtë proces, për shkak të vetos bullgare.

Teksa, sipas kreut të Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, lajmi vërtet i mirë, është ai se konferenca e parë ndërqeveritare, do të mbahet që javën e ardhshme mes strukturave të BE-së dhe Tiranës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore