Auto

Volvo, tërësisht elektrike


Kompania suedeze e automjeteve, Volvo Cars, deri në vitin 2030 do të heqë të gjitha modelet e makinave me motorë me djegie të brendshme dhe do të shesë makina elektrike.

Agjensia e lajmeve, BBC, tregon se kompania përpos planeve për t’u kthyer tërësisht elektrike, po planifikon të investojë në shitjet në internet dhe në thjeshtimin e produkteve të saj.

“Për të qëndruar të suksesshëm , ne kemi nevojë për rritje fitimprurëse. Në vend që të investojmë në një biznes të tkurrur, ne zgjedhim të investojmë në të ardhmen elektrike dhe online”, ka deklaruar Hakan Samuelsson, shefi ekzekutiv i kompanisë Volvo.

Politikat e reja të Volvos vijnë në një kohë kur kërkesa për makina elektrike është në rritje, sidomos në Kinë, e cila përbën tregun më të madh për kompaninë.

Nga ana tjetër, këto politika janë në përputhje më presionin në rritje të qeverive në mbarë botën për të nxitur planet e prodhuesve të makinave drejt modeleve elektrike.

Një nga rastet konkrete është Mbretëria e Bashkuar në të cilën shitja e makinave me benzinë apo naftë pas vitit 2030 nuk do të lejohet.

Lidhur me investimin për shitjet në internet, Volvo planifikon t’ju mundësojë klientëve porositjen e makinave në bazë të specifikimit të tyre në internet.

BBC zbulon se Volvo nuk do të investojë në makina me qeliza të karburantit hidrogjen pasi kërkesa e konsumatorëve për këtë model nuk është e mjaftueshme. Kjo është pasojë edhe e disponueshmërisë së hidrogjenit në krahasim me stacionet e karikimit të makinave elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore